Sadudin Hasani sinjalizon garën si i pavarur në Prishtinë: 400 vota mund të jenë vendimtare në balotazh
Sadudin Hasani, Kryetar i Bashkësisë Lokale në Zonën Qendra të Prishtinës, ka bërë të ditur se po shqyrton seriozisht mundësinë e kandidimit si i pavarur për kryetar komune në zgjedhjet lokale të vitit 2025.
Sipas Hasanit, në shumë komuna të Kosovës, përfshirë edhe Prishtinën, pritet që gara të shkojë në balotazh, gjë që krijon një terren të volitshëm për kandidatë të pavarur që synojnë të faktorizohen politikisht dhe të ndikojnë në formësimin e pushtetit lokal.
“Një kandidat i pavarur që arrin të sigurojë mbi 300 apo 400 vota mund të luajë rol kyç në balotazh. Në shumë raste, kjo përkthehet edhe në përfaqësim në pushtet lokal përmes marrëveshjeve politike pas raundit të dytë,” deklaroi Hasani.
Ai thekson se ndonëse disa kandidatë nga partitë politike mund të marrin edhe mbi 1,000 vota për asamble, ndikimi i tyre mbetet shpesh i kufizuar për shkak të strukturave të mbyllura partiake. Ndërkohë, një kandidat i pavarur me më pak vota ka potencial të fitojë peshë reale politike në negociatat për balotazh.
Hasani përkujtoi gjithashtu se, sipas ligjit, për të kandiduar si i pavarur për kryetar komune nevojiten deri në 2,000 nënshkrime mbështetëse, varësisht nga madhësia e komunës.
Në një klimë zgjedhore ku gara për balotazh mund të vendoset me qindra vota, ai vlerëson se roli i kandidatëve të pavarur është jo vetëm i mundshëm, por edhe vendimtar.
Me këtë deklaratë, Hasani lë të hapur një perspektivë të re në skenën lokale politike duke sjellë në fokus fuqinë që mund të kenë qytetarët e pavarur në balancimin e forcave politike në komunat kyçe si Prishtina. /Kosova.info/
