Lushi: Serbia mund të fitojë pa armë përmes përçarjes sonë – Kurti dhe deputetët janë borxhlinj të kombit

Ish-ushtari i UÇK-së dhe veprimtari i njohur Uk Lushi ka reaguar me shqetësim ndaj zhvillimeve politike në vend duke shprehur frikën se përçarjet e brendshme po e rrezikojnë ardhmërinë e Kosovës më shumë se çdo armik i jashtëm.

Në një reagim të tijin, Lushi kujtoi kohën e luftës dhe forcën e bashkimit kombëtar që i dha shqiptarëve fitoren përballë një armiku ushtarakisht superior, siç ishte Serbia e Jugosllavisë së atëhershme. Por sot, ai thotë se përkundër ndryshimeve të mëdha, frika e tij lind nga brenda institucioneve të Kosovës.

“Kur kam qenë në luftën e Kosovës dhe shihja epërsinë ushtarake dhe në armatim të Serbo-Jugosllavisë, nuk frikësohesha asnjëherë se ne shqiptarët nuk do të fitonim. Ndonëse të ndryshëm në bindje, ishim aq të bashkuar për Kosovën sa nuk do të kishte forcë që do të mund t’na ndalte,” shkruan ai.

Por Lushi thekson se sot, kur sheh sjelljen e kryeministrit Albin Kurti dhe deputetëve në Kuvend, që sipas tij vendosin interesin e ngushtë politik mbi interesin kombëtar, ndien për herë të parë frikë reale për fatin e vendit. Ai përdor një shprehje të njohur angleze për të përshkruar situatën: “Një shtëpi e përçarë nuk qëndron në këmbë”.

“Serbia mund të arrijë atë që nuk mundi ta arrijë me ushtrinë nr. 4 më të fuqishme në Europë përmes budallallëkut vetanak shqiptar,” paralajmëron Lushi.

Ai u bën thirrje drejtuesve politikë të reflektojnë duke u kujtuar se kombi nuk u ka borxh atyre, përkundrazi, janë ata që i kanë borxh Kosovës.

“I lutem Zotit të kthjellojë Albin Kurtin, ose të paktën disa prej sejmenëve të tij, e pse jo edhe kuvendarët tjerë. Juve, asnjërit, kombi nuk u ka asnjë borxh. Ju jeni borxhlinjtë e vetëm. Mos ia k’naqni zemrën Serbisë dhe armiqve të shqiptarëve dhe mos ia mundësoni Serbisë të fitojë pa shkrepur asnjë plumb atë që nuk e arriti me ushtri dhe krime! Ju lutem!”, përfundon reagimin e tij Uk Lushi. /Kosova.info/

Go to TOP