​IAEA: Irani mund të rifillojë prodhimin e uraniumit të pasuruar brenda pak muajsh

Pas sulmeve të fundit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj objekteve bërthamore iraniane, Teherani zyrtar ka të ngjarë të rifillojë prodhimin e uraniumit të pasuruar brenda pak muajsh, sipas kreut të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).

“Ata mund të kenë brenda pak muajsh, do të thosha, disa kaskada centrifugash që rrotullohen dhe prodhojnë uranium të pasuruar, ose më pak se kaq,” tha Rafael Grossi për CBS News.

Grossi tha se është e qartë se sulmet amerikane lanë “dëme të rënda, por nuk është dëm total”, duke shtuar se Irani ka “kapacitetet industriale dhe teknologjike, dhe nëse dëshirojnë, do të jenë në gjendje ta fillojnë sërish këtë.”

“Irani kishte një program shumë të gjerë ambicioz, dhe një pjesë e tij mund të jetë ende atje, dhe nëse jo, ekziston edhe e vërteta e vetëkuptueshme se njohuritë janë atje. Kapaciteti industrial është atje. Irani është një vend shumë i sofistikuar për sa i përket teknologjisë bërthamore, siç është e qartë. Pra, nuk mund ta çmontosh këtë,” tha Grossi.

Ai tha se IAEA gjeti gjurmë të pashpjegueshme të uraniumit në vende të padeklaruara në Iran, por ata nuk kishin përgjigje të besueshme në lidhje me origjinën ose vendndodhjen e tyre.

Më 22 qershor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës hodhën gjashtë bomba kundër bunkerëve në fabrikën bërthamore Fordow dhe nisën dhjetëra sulme me raketa lundrimi në vende në Natanz dhe Isfahan, si pjesë e fushatës së tyre kundër programit bërthamor të Iranit.

Pas sulmeve, administrata e presidentit Donald Trump ka hedhur poshtë raportet që thonë se programet bërthamore të Iranit u penguan vetëm disa muaj në vend që të “zhdukeshin”, siç pretenduan fillimisht Shtetet e bashkuara të Amerikës.

Abbas Araghchi, ministri i Jashtëm i Iranit, pranoi se bombardimet e fundit amerikane dhe izraelite shkaktuan dëme serioze në vendet bërthamore të vendit. Araghchi tha të shtunën se Irani do t’i ndalojë Grossi të hyjë në vend, një veprim i dënuar nga sekretari i Shtetit Marco Rubio.

Një konflikt 12-ditor midis Izraelit dhe Iranit shpërtheu më 13 qershor. Konflikti u ndal sipas një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që hyri në fuqi më 24 qershor.


Go to TOP