Rama pret delegacionin ekonomik nga Gjeneva: Fokus në bashkëpunim urban dhe investime ndërkombëtare
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, mirëpriti sot në Oden e Komunës një delegacion ekonomik nga Zvicra, të përbërë nga përfaqësues të bizneseve dhe institucioneve ekonomike të Gjenevës, në kuadër të vizitës së tyre zyrtare në Kosovë.
Gjatë takimit u diskutua gjerësisht për mundësitë konkrete të bashkëpunimit ekonomik mes Prishtinës dhe partnerëve zviceranë, me theks të veçantë në zhvillimin urban të qëndrueshëm, promovimin e inovacionit dhe krijimin e kushteve të favorshme për investime ndërkombëtare në kryeqytet.
Kryetari Rama theksoi rëndësinë e ndërtimit të partneriteteve ndërkombëtare për zhvillimin ekonomik të Prishtinës dhe vlerësoi përkushtimin e delegacionit zviceran për të eksploruar mundësitë e bashkëpunimit konkret në fusha që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Delegacioni nga Gjeneva shprehu interesim për potencialin ekonomik dhe zhvillimor të Prishtinës duke theksuar gatishmërinë për të vazhduar dialogun dhe bashkëpunimin me institucionet komunale dhe aktorët lokalë të biznesit.
Takimi u mbyll me zotimin për thellimin e bashkëpunimit dhe identifikimin e projekteve të përbashkëta që do të sjellin përfitime të ndërsjella për të dyja palët. /Kosova.info/
