Messi mund të ndryshojë skuadër, bisedimet po vazhdojnë

Lionel Messi mund të largohet nga Inter Miami këtë verë, klubi për të cilin luan që nga viti 2023. Argjentinasi ka ende një kontratë me Inter Miamin deri në fund të vitit, por fituesi i tetë herë Topit të Artë mund të ndryshojë ekip më herët dhe mund të përfundojë në Arabinë Saudite.

Gazetari Sacha Tavolieri pohon se bisedimet midis Lionel Messit dhe arabëve janë duke vazhduar dhe po bëhen gjithnjë e më serioze. Sipas Tavolieri-t, Messi është në “kontakt të drejtpërdrejtë” me drejtorin e Akademisë Mahd, Abdullah Hamad, si dhe me Ligën Profesionale Saudite.

Gazetari belg thotë se Messi do të ketë mundësinë të zgjedhë klubin për të cilin do të luajë nëse vendos të bëjë një hap në futbollin saudit. Për më tepër, “Pleshti” e ka vizituar Riadin disa herë dhe është impresionuar nga vilat që pa, si dhe nga shkollat që vizitoi.

Nëse Messi vendos të transferohet në Arabinë Saudite këtë verë, pas pjesëmarrjes në Kupën e Botës për Klube, sauditët do të duhet të paguajnë një tarifë transferimi për argjentinasin, e cila vlerësohet në 15 milionë euro. Përndryshe, ai do të jetë në gjendje të ndryshojë ekip si transferim i lirë në fund të vitit.

Në verën e vitit 2023, pasi Lionel Messi u nda nga Paris Saint Germain, Al Hilal u përpoq ta joshte argjentinasin me një pagë të majme, midis 500 dhe 600 milionë euro gjatë dy sezoneve.

Pas negociatave që zgjatën me javë të tëra, ylli legjendar i Barcelonës vendosi të transferohej në Inter Miami.


Go to TOP