Japonia ekzekuton “vrasësin e Twitter-it” që vrau 9 persona
Japonia ka ekzekutuar një burrë që kishte vrarë nëntë persona në vitin 2017, hera e parë që nga viti 2022 që vendi ka zbatuar dënimin me vdekje, raporton BBC.
Vrasjet e njëpasnjëshme të kryera nga Takahiro Shiraishi, i quajtur “vrasësi i Twitter-it”, tronditën vendin dhe nxituan debat mbi mënyrën se si trajtohej vetëvrasja në internet.
Shiraishi, atëherë 30 vjeç, i joshte viktimat e tij – shumica prej tyre gra të reja të moshës 15 deri në 26 vjeç – në apartamentin e tij, përpara se t’i mbyte dhe t’i copëtonte.
Vrasjet dolën në pah në tetor të vitit 2017, kur policia gjeti pjesë trupore në qytetin japonez Zama, pranë Tokios, gjatë kërkimeve për njërën nga viktimat.
Më vonë, Shiraishi pranoi se kishte vrarë nëntë viktima me prirje vetëvrasëse dhe zbuloi se i kishte njohur përmes Twitter-it, platformës së rrjeteve sociale që tani njihet si X.
Ai u kishte thënë se mund t’i ndihmonte të vdisnin, dhe në disa raste kishte pretenduar se do të vriste edhe veten bashkë me ta.
Profili i tij në Twitter përmbante fjalët: “Dua të ndihmoj njerëzit që janë me të vërtetë në dhimbje. Ju lutem më dërgoni mesazh në çdo kohë”.
Nëntë trupa të copëtuar u gjetën në frigoriferë të vegjël dhe kuti mjetesh kur oficerët vizituan banesën e tij, e cila nga mediat u quajt “shtëpia e tmerrit”.
Ndërsa prokurorët kërkuan dënimin me vdekje për Shiraishin, avokatët e tij argumentuan për një akuzë më të lehtë, “vrasje me pëlqim”, duke pretenduar se viktimat kishin dhënë leje për t’u vrarë.
Ata gjithashtu kërkuan një vlerësim të gjendjes së tij mendore.
Më vonë, Shiraishi hodhi poshtë versionin e ngjarjeve të paraqitur nga vetë ekipi i tij mbrojtës dhe tha se i kishte vrarë pa pëlqimin e viktimave.
Qindra njerëz u paraqitën në seancën e shpalljes së vendimit në dhjetor të vitit 2020, kur ai u dënua me vdekje.
Këto vrasje nxitën gjithashtu një ndryshim nga ana e Twitter-it, i cili ndryshoi rregullat e tij duke përcaktuar se përdoruesit nuk duhet të “promovojnë apo nxisin vetëvrasjen ose vetëlëndimin”.
