Grossi: Centrifugat në Fordow nuk janë më funksionale
Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) tha se programi bërthamor i Iranit ka pësuar dëme të mëdha pas sulmeve të fundit nga SHBA-të dhe Izraeli.
“Sulmet që filluan më 13 qershor shkaktuan dëme të konsiderueshme fizike në tre vende kryesore: Natanz, Isfahan dhe Fordow, ku Irani ka përqendruar pjesën më të madhe të aktiviteteve të tij të pasurimit dhe konvertimit të uraniumit,” tha , Rafael Grossi për radion franceze RFI.
Ai theksoi se ka vende të tjera që nuk janë goditur, por pohon se dëmi është jashtëzakonisht i rëndësishëm.
“Është e vërtetë se, duke pasur parasysh kapacitetet e reduktuara, do të jetë shumë më e vështirë për Iranin të vazhdojë me ritmin që ka punuar deri më tani,” vuri në dukje ai.
Ai theksoi veçanërisht se centrifugat në vendndodhjen Fordow nuk janë më funksionale.
“Ne nuk mund ta vlerësojmë plotësisht dhe askush nuk mund ta thotë me siguri shkallën e saktë të dëmit. Por ne tashmë e dimë se, duke pasur parasysh fuqinë e këtyre armëve dhe karakteristikat teknike të centrifugave, ato nuk janë më funksionale. Këto janë makina që kërkojnë pozicionim të saktë, ka rotorë, pjesë, kështu që dëmi duhet të jetë i plotë”, shpjegoi ai.
I pyetur në lidhje me vendimin e Iranit për të pezulluar bashkëpunimin me IAEA-n, Grossi shprehu shqetësim të madh dhe tha se Irani nuk mund ta pezullojë bashkëpunimin në mënyrë të njëanshme.
Ai shtoi se nëse Irani refuzon qasjen e inspektorëve, do të ketë pasoja. Grossi përfundoi duke thënë se ai mbetej i kujdesshëm dhe realist, duke shpresuar që dialogu të mund të rifillonte dhe inspektimet të mund të vazhdonin.
