Prishtina lidh partneritet strategjik me Kryegjyshatën Botërore Bektashiane për diplomaci kulturore dhe zhvillim rajonal
Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka pritur sot në Prishtinë një delegacion të nivelit të lartë nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane, në kuadër të një vizite që kulmoi me nënshkrimin e një Memorandumi Mirëkuptimi për bashkëpunim strategjik ndërinstitucional.
Delegacioni i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane përbëhej nga Hirësia e Tij Edmond Brahimaj – Kryegjyshi Botëror, znj. Ana Abdi – përfaqësuese e autorizuar pranë institucioneve të Bashkimit Evropian, si dhe z. Arben Sulejmani – Drejtor i Marrëdhënieve me Jashtë.
Ky memorandum shënon fillimin e një partneriteti të qëndrueshëm ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Kryegjyshatës, me qëllim zhvillimin e projekteve që shtrihen përtej kufijve lokalë dhe synojnë përfshirjen rajonale dhe evropiane. Pikat kryesore të marrëveshjes përfshijnë:
Organizimin e Forumit Vjetor Ndërombëtar për Diplomaci Kulturore dhe Ndërfetare, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga 33 shtete;
Fuqizimin e të rinjve të Prishtinës, përmes bursave dhe trajnimeve në fushën e diplomacisë ndërkombëtare;
Përfshirjen e Kryeqytetit si bashkë-organizator i forumit, me rotacion ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës, si qendra të rëndësishme të bashkëjetesës ndërfetare dhe
Promovimin e turizmit ndërfetar dhe zhvillimin e politikave të qëndrueshme të strehimit, të lidhura me agjendat evropiane të zhvillimit.
Kryetari Rama theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi në forcimin e profilit ndërkombëtar të Prishtinës si qytet i hapur, gjithëpërfshirës dhe të përkushtuar ndaj dialogut ndërkulturor. Nga ana e tij, Kryegjyshi Edmond Brahimaj u shpreh i impresionuar me vizionin e qytetit dhe shprehu përkushtimin për ta kthyer këtë marrëveshje në një shembull suksesi të diplomacisë së butë në Ballkan.
Kjo nismë pritet të sjellë ndikim konkret në zhvillimin e kapaciteteve njerëzore, rritjen e profilit ndërkombëtar të Prishtinës dhe forcimin e lidhjeve ndërfetare në një kohë kur dialogu dhe bashkëpunimi janë më të rëndësishëm se kurrë.
