Rubio: Irani më larg një arme bërthamore pas sulmeve amerikane

Në një intervistë ekskluzive për Politico, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të mërkurën gjatë samitit të NATO-s se Irani është “shumë më larg një arme bërthamore sot sesa ishte para se presidenti Trump të ndërmerrte këtë veprim të guximshëm”.

“Dëme të mëdha, shumë të mëdha dhe të konsiderueshme janë shkaktuar ndaj përbërësve kyç të programit bërthamor iranian. SHBA-ja vazhdon të marrë vlerësime edhe nga fusha e inteligjencës për të pasur një pasqyrë më të plotë të situatës”, tha Rubio.

Këto deklarata vijnë pas sulmeve ushtarake amerikane ndaj tre vendndodhjeve kryesore bërthamore të Iranit gjatë fundjavës, një veprim që sipas Pentagonit synonte të frenonte përparimin e Teheranit drejt krijimit të një arme bërthamore.

Megjithatë, një vlerësim paraprak i inteligjencës amerikane – përfshirë një raport nga Defense Intelligence Agency (DIA) – ka sugjeruar se, edhe pse goditjet shkaktuan dëme, nuk shkatërruan plotësisht objektet bërthamore. Për këtë arsye, programi iranian mund të jetë vonuar vetëm për disa muaj .

Presidenti amerikan Donald Trump reagoi ashpër ndaj këtyre raporteve. Ai i konsideroi ato si “fake news” dhe kritikoi si CNN ashtu edhe The New York Times, duke i akuzuar ato për “poshtërimin e një nga sulmeve ushtarake më të suksesshme në histori”. Trump gjithashtu deklaroi në platformën e tij Truth Social se uzinat bërthamore iraniane janë “shkatërruar plotësisht” dhe se mediat tani po gjykojnë performancën e sulmit.

Go to TOP