Juventusi pranë kualifikimit pas fitores bindëse ndaj Wydad

Juventus ka marrë një fitore të rëndësishme në Kupën e Botës për Klube, duke e mposhtur Wydad Casablanca me rezultat të thellë 4:1, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Lincoln Financial Field” në Shtetet e Bashkuara.

Heroi i kësaj ndeshje ka qenë Kenan Yıldız, i cili ka realizuar dy gola në pjesën e parë, duke e vendosur Juventus në rrugën e fitores. Në vetëm njëzet minuta lojë, Yıldız e ka treguar klasin e tij, fillimisht duke shënuar pas një kombinimi me Khephren Thuram, ndërsa më pas ka goditur saktë nga distanca për ta dyfishuar epërsinë.

Skuadra marokene Wydad, që kishte humbur edhe ndaj Manchester Cityt në ndeshjen e parë, ka arritur të reagojë përmes Thembinkosi Lorch, i cili ka shënuar pas një asistimi nga Nordin Amrabat, duke e ngushtuar rezultatin në 2:1.

Në pjesën e dytë, Juventus ka vazhduar me lojë sulmuese. Andrea Cambiaso e ka goditur shtyllën me kokë, ndërsa Kolo Muani ka qenë pranë golit të tretë, por topi ka kaluar ngushtë jashtë. Sërish ishte Yıldız, i cili ka realizuar për herë të dytë në këtë ndeshje, pas një pasimi të Kolo Muani, duke e rikthyer epërsinë prej dy golash për italianët.

Në minutat shtesë, Dusan Vlahovic është penguar në zonë dhe nga pika e bardhë e ka vulosur fitoren e Juventus me rezultat 4:1.

Pas kësaj fitore, Juventus kalon në krye të Grupit G, dhe mund ta sigurojë kalimin në fazën tjetër nëse Al Ain nuk arrin ta mposhtë Manchester City. Ndërkohë, Wydad është shumë pranë eliminimit, dhe shpresat për të kaluar tutje varen nga një befasi e madhe nga Al Ain.


Go to TOP