Bombarduesit B-2 po zhvendosen në Guam mes tensioneve në Lindjen e Mesme
Shtetet e Bashkuara po zhvendosin bombarduesit B-2 në ishullin Paqësor të Guamit, thanë të shtunën për agjencinë Reuters dy zyrtarë amerikanë, ndërsa Presidenti Donald Trump po shqyrton nëse SHBA-të duhet të marrin pjesë në sulmet e Izraelit ndaj Iranit.
Nuk është e qartë nëse kjo dislokim i bombarduesve lidhet drejtpërdrejt me tensionet në Lindjen e Mesme. B-2 mund të pajiset për të mbajtur bombën amerikane GBU-57 Massive Ordnance Penetrator me peshë 30,000 paund, e projektuar për të shkatërruar objektiva në thellësi nën tokë.
Ekspertët thonë se kjo është arma që mund të përdoret për të goditur programin bërthamor të Iranit, përfshirë objektivin në Fordow, shkruan Reuters.
Zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti, nuk dhanë detaje të tjera. Njëri prej tyre tha se ende nuk është dhënë ndonjë urdhër për zhvendosjen e bombarduesve përtej Guamit. Nuk është saktësuar as se sa bombardues B-2 po zhvendosen.
Pentagoni nuk ka dhënë ende asnjë koment zyrtar.
Ekspertët dhe zyrtarët po ndjekin nga afër për të parë nëse bombarduesit B-2 do të zhvendosen më tej në bazën ushtarake amerikano-britanike në ishullin Diego Garcia në Oqeanin Indian. Sipas ekspertëve, Diego Garcia ndodhet në një pozitë ideale për operacione në Lindjen e Mesme.
