​Putin lëshon paralajmërim për luftë të re

Ukraina rrezikon një konflikt të ri të armatosur në të ardhmen nëse nuk njeh rezultatet e referendumeve që Moska mbajti në vitin 2022 në katër rajone ukrainase që Rusia i ka aneksuar.

Presidenti rus Vladimir Putin në një intervistë për Sky News Arabia tha se Kievi duhet të njohë referendumet në rajonet e okupuara Zaporizhzhia, Kherson, Donetsk dhe Luhansk.

Në shtator 2022, Rusia mbajti referendum nëse rajonet Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia duhet të aneksohen nga Rusia pasi Moska pushtoi Ukrainën në shkurt.

Referendumi u dënua ndërkombëtarisht, por Putin më pas nënshkroi një traktat për pranimin e rajoneve në Rusi.

Ukraina ende po lufton për këto territore, por komentet e fundit të Putin sinjalizojnë se një zgjidhje diplomatike për luftën që nisi Moska mbetet e largët.

Në një intervistë për Sky News Arabia, Putin paralajmëroi se Ukraina duhet ta njohë referendumin e vitit 2022 ose do të përballet me “mundësi për rifillimin e konfliktit të armatosur”.

Putin tha se stabiliteti afatgjatë në rajon kërkonte që Ukraina të ishte neutrale dhe të refuzonte të bashkohej me aleancat dhe të hiqte dorë nga armët bërthamore.

Ndërsa propozimet e armëpushimit të SHBA-së mbeten të bllokuara, Yuriy Boyechko, themelues i Hope for Ukraine, tha për Newsweek, se lufta mund të ndalet vetëm nëse administrata e presidentit amerikan Donald Trump “gjen guximin e mjaftueshëm për ta bërë Putin të dakordohet për të paktën 30 ditë armëpushim”.

Boyechko tha se ndërsa vëmendja globale përqendrohet në konfliktin në rritje Iran-Izrael, lufta në Ukrainë po hyn në një fazë të re.

Pas sulmit rus të hënën ndaj Ukrainës, Boyechko tha se Senati amerikan duhet të ecë përpara me miratimin e një projektligji të sponsorizuar nga senatori Lindsey Graham, një republikan i Karolinës së Jugut, me shumicë pa veto dhe të miratojë sanksione shtesë kundër Rusisë.

Ministri i jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, shkroi në X të premten se deklaratat cinike të Putin tregojnë përbuzje të plotë për përpjekjet paqësore të SHBA-së.

“Putinit nuk i interesojnë ushtarët rusë apo këmbët e tyre të shqyera nga dronët ukrainas. Ai është një vrasës masiv i popullit të tij. Ai tashmë ka asgjësuar një milion ushtarë rusë në një masakër të pakuptimtë në Ukrainë pa arritur një qëllim të vetëm strategjik. Një milion ushtarë, dy milionë këmbë.”

Instituti për Studimin e Luftës me seli në Uashington, shkroi të premten në iks, se retorika e fundit e Putin tregon se ai mendon se forcat e tij janë në gjendje të fitojnë një luftë rraskapitëse nëpërmjet përparimeve graduale dhe humbjeve të mëdha.

Go to TOP