Rruga Prizren–Tetovë drejt finalizimit, tuneli 6.4km do të lidhë dy qytetet

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka njoftuar se punimet për rrugën Prizren-Tetovë po vazhdojnë në anën kosovare të malit Korf (Vërtop), ndërsa nga ana e Maqedonisë së Veriut, nisja e tyre po afrohet.

Grupi Punues ndërshtetëror ka mbajtur takimin e radhës për të trajtuar pikat e detyrës projektuese, dokument ky thelbësor për realizimin e këtij projekti strategjik për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Kurti ka mirëpritur në zyrën e tij anëtarët e grupit së bashku me zëvendësministren e Transportit të Maqedonisë së Veriut, Kaltrina Zekolli Shaqiri, dhe zëvendësministrin në detyrë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Rruga e re do të shkurtojë distancën mes Prizrenit dhe Tetovës nga 113 kilometra në më pak se 50 kilometra, përmes një tuneli 6.4 kilometra të gjatë. 

“113 kilometra është e gjatë rruga aktuale nga Prizreni në Tetovë, nëpër Prevallë e Glloboçicë. Me rrugën e re, Prizreni dhe Tetova do të jenë më pak se 50 kilometra afër njëra tjetrës. Mali që i ndan, do të ketë portën që i bashkon – pra tunelin me gjatësi 6.4 kilometra. Kështu udhëtimi bëhet më i lehtë, më i shpejtë dhe më i shpeshtë, lidhjet forcohen, shkëmbimet rriten e bashkëpunimi shtohet”, ka shkruar Kurti. /Kosova.info/

Go to TOP