Xhafer Tahiri rikandidon për kryetar të Vushtrrisë: Jam gati të vazhdoj atë që nisëm së bashku

Ish-kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka njoftuar rikandidimin e tij për postin e të parit të komunës duke theksuar se ky vendim ka ardhur pas një reflektimi të gjatë dhe bisedash të shumta me qytetarë, familjarë dhe bashkëpunëtorë.

“Në këtë Premte të bardhë, kam marrë një vendim të rëndësishëm dhe të ndjerë: po, po i rikthehem garës për kryetar të komunës sonë,” ka deklaruar Tahiri në një letër publike drejtuar qytetarëve të Vushtrrisë.

Ai theksoi se nuk është ambicia ajo që e shtyn, por ndjenja e përgjegjësisë, dashurisë dhe përkushtimit ndaj qytetit duke shtuar se Vushtrria ka ende shumë punë për të përfunduar, projekte për t’u realizuar dhe shpresë për t’u kthyer në realitet.

“Më ka munguar zëri i qytetarit të zakonshëm që kërkon zgjidhje, më ka munguar energjia e shkollave tona, fryma e bashkëpunimit me fermerët tanë, dhe mbi të gjitha – më ka munguar mundësia për të shërbyer, jo për të sunduar,” tha Tahiri.

Duke kujtuar periudhën e tij në krye të komunës, ai theksoi se nuk kishte premtuar mrekulli, por kishte punuar ditë e natë për të realizuar premtimet e dhëna.

“Vushtrria nuk ka nevojë për spektakël, ka nevojë për punë,” theksoi ai duke shtuar se është i gatshëm të vazhdojë rrugën që kishte nisur me qytetarët.

Në fund të fjalës së tij, Xhafer Tahiri ka falënderuar degën e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Vushtrri për mbështetjen unanime në rikandidimin e tij për kryetar të komunës.

“Me përulësi, me zemër të hapur dhe me vizion të qartë, kërkoj besimin tuaj sërish,” përfundoi ai. /Kosova.info/


Go to TOP