​Agron Kuçi kandidat i AAK-së për kryetar të Junikut

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka zyrtarizuar sot në Junik kandidaturën e Agron Kuçit për kryetar të kësaj komune në zgjedhjet e ardhshme lokale. Gjatë një takimi me strukturat e degës së partisë, Haradinaj vlerësoi lart kontributin e mëparshëm të Kuçit në qeverisjen lokale.

“Agron Kuçi ka udhëhequr Junikun me përkushtim, vizion dhe rezultate konkrete,” deklaroi Haradinaj. Ai kujtoi se gjatë mandatit të Kuçit, Juniku është vlerësuar disa herë si komuna me performancën më të mirë në Kosovë, ndërsa vetë ai është cilësuar ndër kryetarët më të suksesshëm në nivel vendi nga institucionet qendrore.

Haradinaj u shpreh i bindur se qytetarët e Junikut do ta mbështesin rikthimin e Kuçit në drejtimin e komunës duke theksuar traditën e tyre për pjekuri politike dhe vlerësim të punës së mirë.

“Kudo ku qeveris Aleanca, qytetarët kanë shembull të qeverisjes së mirë, të ndershme dhe të përgjegjshme. Juniku do të jetë sërish pjesë e këtij modeli,” tha ai. /Kosova.info/


Go to TOP