Muharremi: Nëse Kurti nuk reflekton, LVV rrezikon rënie nën 25% deri në prill

Analisti Shenoll Muharremi ka parashikuar një rënie të ndjeshme të mbështetjes për Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) nëse kryeministri Albin Kurti nuk ndërmerr hapa reflektues dhe ndryshim strategjie në kohë. Sipas tij, LVV ndodhet në një trend të qartë rënës, i cili, në mungesë të një rikthimi politik, mund të çojë partinë deri në nivelin e 25% të votave deri në prill të vitit të ardhshëm.

“Psikologjia sociale dhe elektorale funksionon kështu – kur qytetarët shohin rënie të vazhdueshme, ata fillojnë të panikojnë dhe të largohen nga anija në garë kush më shpejt,” tha Muharremi duke theksuar se partia tashmë ka rënë rreth 30% në projeksione.

Ai gjithashtu përmendi se një tjetër faktor tronditës në skenën politike do të jetë rikandidimi i mundshëm i presidentes Vjosa Osmani. Sipas Muharremit, Osmani nuk pritet t’i fitojë zgjedhjet, por mund të marrë rreth 10% të votave – të cilat do të rrjedhin kryesisht nga elektorati i LVV-së dhe pjesërisht nga ai i LDK-së.

“LVV po bart peshën më të madhe të përgjegjësisë për bllokadën politike dhe kjo po e ndëshkon në mënyrë të drejtpërdrejtë,” shtoi ai duke paralajmëruar se në vjeshtë dhe dimër pritet që keqmenaxhimi i krizës energjetike të sjellë një tjetër valë ndëshkimi nga elektorati.

Muharremi përmbylli se këto nuk janë më vetëm parashikime, por analiza të bazuara në trende reale dhe specifikat e elektoratit kosovar. /Kosova.info/

Go to TOP