Merz i bën thirrje Netanyahut për përmbajtje ndaj Iranit, por mbështet sulmet ndaj infrastrukturës bërthamore

Kancelari gjerman Friedrich Merz zhvilloi sot një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, ku temë kryesore ishte përshkallëzimi i tensioneve midis Izraelit dhe Iranit.

Sipas një burimi qeveritar gjerman, Merz i bëri thirrje Netanyahut për moderim dhe përmbajtje në fushatën e Izraelit kundër Iranit duke theksuar nevojën për zgjidhje diplomatike dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Gjermania, sipas të njëjtit burim, mbështet në parim sulmet ushtarake izraelite ndaj infrastrukturës bërthamore iraniane, por kërkon që çdo veprim të jetë i matur dhe i koordinuar me aleatët ndërkombëtarë.

Në këtë frymë, Gjermania planifikon të zhvillojë të mërkurën në Gjenevë një raund të ri bisedimesh bërthamore me partnerët e saj evropianë dhe me ministrin e jashtëm iranian, ku do të kërkohet garanci e qartë se programi bërthamor iranian ka qëllime ekskluzivisht civile.

Kjo përpjekje vjen në një moment kur shqetësimet për përshkallëzim rajonal dhe sigurinë bërthamore janë rritur ndjeshëm. /Kosova.info/


Go to TOP