KEK njofton për ndalesa të paplanifikuara në njësitë e Termocentralit “Kosova A”

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka njoftuar opinionin publik se njësia A3 e Termocentralit “Kosova A” ka dalë nga sistemi në mënyrë të paplanifikuar në orët e para të mëngjesit të sotëm, më 19 qershor 2025, rreth orës 00:30.

Sipas njoftimit zyrtar, ndalesa është shkaktuar për shkak të luhatjeve në sistemin elektrik, ku si pasojë ka reaguar sistemi mbrojtës i gjeneratorit, duke shkaktuar ndërprerjen automatike të zgjueses.

Ndërkohë, KEK ka bërë të ditur se në njësinë A5 të po të njëjtit termocentral, më 17 qershor 2025 është identifikuar një humbje uji në kaldajë. Ekipet teknike e kanë monitoruar situatën nga afër dhe kanë mbajtur njësinë në funksion deri më 18 qershor në ora 00:02, kur ajo është ndalur për të shmangur ndonjë avari të përmasave më të mëdha.

Po ashtu, KEK ka rikujtuar se njësia A4 e TC “Kosova A” ndodhet në proces remonti që nga data 16 maj 2025.

Menaxhmenti i KEK sh.a. ka theksuar përkushtimin për trajtimin teknik të situatës dhe vendosjen e një standardi të lartë të përgjegjësisë dhe llogaridhënies në të gjitha nivelet operuese, si parakusht për garantimin e stabilitetit të sistemit prodhues dhe besueshmërisë ndaj publikut.

KEK ka siguruar se po ndërmerren të gjitha masat teknike dhe organizative për rikthimin sa më të shpejtë të njësive në funksion, në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë aktorët relevantë të sektorit energjetik në vend. /Kosova.info/

Go to TOP