DhTIK kërkon ndryshimin e Nenit 89: Bizneset po përballen me bllokadë për shkak të gjobave të trafikut

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj të thellë lidhur me vështirësitë që po u shkaktohen bizneseve në procesin e regjistrimit të automjeteve, si pasojë e zbatimit të Nenit 89, paragrafi 4 të Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2024.

Sipas këtij neni, “pronari i mjetit nuk mund të bëjë regjistrimin, vazhdimin e regjistrimit apo ndërrimin e pronarit të mjetit, pa shlyer paraprakisht të gjitha gjobat për kundërvajtje në trafikun rrugor.”

Ky detyrim ligjor, sipas Dhomës, ka krijuar barrë të rëndë administrative dhe financiare për një numër të madh kompanish, sidomos në sektorët e transportit, logjistikës, ndërtimtarisë, shërbimeve teknike dhe institucioneve financiare që operojnë me flota të mëdha automjetesh.

“Zbatimi i këtij neni ka efekte direkte në aktivitetin ekonomik të këtyre bizneseve, duke i pamundësuar atyre të regjistrojnë automjetet dhe rrjedhimisht të dalin në qarkullim apo të realizojnë kontrata afariste,” thuhet në reagimin zyrtar të Dhomës.

Për më tepër, zbatimi i njëjtë i nenit edhe për automjetet që janë në pronësi të institucioneve financiare, përkundër faktit që gjobat u përkasin ngasësve individualë, po krijon probleme të mëdha dhe po shkakton humbje operacionale për këto institucione, të cilat janë të rëndësishme për mbështetjen e sektorit privat.

Dhoma e Tregtisë thekson gjithashtu se ky zbatim bie ndesh me Ligjin Nr. 03/L-103 për Lizingun, i cili përcakton marrëdhëniet e pronësisë dhe përdorimit të mjeteve, duke theksuar se penalizimet nuk duhet të bien mbi pronarin e mjetit në rast se shkeljet janë kryer nga përdoruesi.

Ndër shqetësimet e ngritura janë:

Mungesa e transparencës administrative për gjobat, veçanërisht ato të pa-dorëzuara fizikisht apo të lëshuara përmes radarëve automatikë;

Mungesa e mekanizmave alternativë që do t’u mundësonin bizneseve regjistrimin e mjeteve ndërkohë që i kontestojnë gjobat;

Cenimi i klimës së të bërit biznes, si dhe pengesa për zhvillimin e lirë ekonomik.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkon që kjo formë e kushtëzimit të ndalohet menjëherë dhe të rishqyrtohet zbatimi i nenit në fjalë, duke kërkuar zgjidhje të balancuara që garantojnë respektimin e ligjit pa cenuar funksionimin normal të bizneseve. /Kosova.info/

Go to TOP