Rama: Smart City nuk është vetëm digjitalizim, por një vizion që bashkon njeriun, teknologjinë dhe natyrën
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka theksuar se koncepti i qytetit të mençur (Smart City) nuk kufizohet vetëm në digjitalizim, por përfaqëson një vizion të gjerë për zhvillimin urban të qëndrueshëm dhe të ndjeshëm ndaj njeriut dhe mjedisit.
Në fjalën e tij gjatë panelit të tretë të Konferencës për Digjitalizim, Rama tha se Smart City është një bashkëjetesë harmonike mes teknologjisë, arkitekturës dhe natyrës.
“Smart City nuk është vetëm digjitalizim. Është vizion për një qytet që bashkon teknologjinë, arkitekturën dhe natyrën. Urbanizmi nuk duhet ta shtypë natyrën, por ta përfshijë atë. Digjitalizimi nuk e zëvendëson njeriun, por e fuqizon”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se qyteti inteligjent nuk është thjesht një çështje infrastrukture apo pajisjesh teknologjike, por një përjetim i ri urban – një hapësirë që respekton mjedisin, i shërben nevojave të njerëzve dhe forcon lidhjen mes infrastrukturës dhe jetës së përditshme.
“Kjo është ajo për çka punojmë në Kryeqytet – një qytet që është i mençur sepse është i drejtë, i gjelbër dhe i ndjeshëm ndaj njeriut,” theksoi ai.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur Prishtina po implementon projekte të shumta që lidhen me transformimin digjital, përmirësimin e transportit publik, hapësirave të gjelbra dhe qasjen në shërbime më efikase për qytetarët. /Kosova.info/
