Abdixhiku nderon Nekibe Kelmendin në përvjetorin e ndarjes nga jeta: Gruaja që dhimbjen e ktheu në forcë dhe jetën në betejë për liri
Në përvjetorin e katërmbëdhjetë të ndarjes nga jeta të veprimtares së njohur të Kosovës, Nekibe Kelmendi, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kujtuar me nderim jetën dhe veprën e saj të jashtëzakonshme.
“Sot përkujtojmë me nderim e mirënjohje të thellë gruan që nuk u mposht kurrë, as nga dhimbja më e rëndë, as nga padrejtësia më e egër. Nekibe Kelmendi nuk ishte thjesht politikane, as vetëm ministre apo deputete. Ajo ishte zëri i së drejtës në kohët kur padrejtësia sundonte, ishte forca e arsyes kur gjithçka rreth nesh përpiqej të shuhej nga terrori,” shkroi Abdixhiku.
Ai theksoi se Kelmendi ishte nënë dhe bashkëshorte e përkushtuar, por mbi të gjitha, një bijë e devotshme e Kosovës që nuk ndali kurrë betejën për liri, demokraci dhe drejtësi.
Nekibe Kelmendi ishte ndër gratë e para që iu bashkua lëvizjes për rezistencë dhe u shqua si aktiviste politike, avokate e të drejtave të njeriut, deputete dhe ministre e drejtësisë.
Në fjalën e tij, kryetari i LDK-së përkujtoi edhe sakrificën e madhe personale të zonjës Kelmendi, e cila humbi bashkëshortin Bajram Kelmendi dhe dy djemtë, Kastriotin dhe Kushtrimin, të vrarë nga regjimi i Milosheviqit.
“Por ajo, në vend që të thyhej, u ngrit. Dhimbjen e ktheu në forcë, plagën në ideal, dhe jetën e saj në një betejë të përditshme për ndërtimin e një shteti të lirë dhe të drejtë. Me gjithë plagët shpirtërore, mbi dhimbjen e saj projektoi idealin për pavarësi e demokraci,” tha Abdixhiku.
Ai e përshkroi Nekibe Kelmendin si bashkëpunëtore të palëkundur të Presidentit Historik, Ibrahim Rugova, dhe si një figurë që la pas vlera, guxim dhe dinjitet në çdo hap të saj.
“Kur kujtojmë jetën dhe veprën e saj, na shfaqet modeli i gruas që frymëzoi gjeneratat pas saj, se ideali i lirisë ka çmimin e jetës,” përfundoi ai.
Lavdi përjetë jetës, veprës dhe sakrificës së Nekibe Kelmendit! /Kosova.info/
