OpenAI: Meta po ofron 100 milionë dollarë për t’i rrëmbyer punonjësit e tij
Sipas CEO-së së OpenAI-së, Sam Altman, kompania Meta e Mark Zuckerberg-ut u ka ofruar punonjësve të OpenAI-së bonuse nënshkrimi prej njëqind (100 milionë) dollarësh për të kaluar në kompaninë e tyre.
“Ata nisën të bënin oferta gjigante për shumë njerëz nga ekipi ynë”, tha Altman të martën gjatë podcast-it “Uncapped” të drejtuar nga vëllai i tij, Jack. “E dini, si bonuse nënshkrimi prej 100 milionë dollarësh”.
Sipas CNN, Altman tha se përpjekjet e Metës për të rrëmbyer punonjësit e tij kanë dështuar, të paktën deri tani.
“Asnjë nga njerëzit tanë më të mirë nuk ka vendosur ta pranojë një gjë të tillë,” tha Altman.
Meta nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
CEO-ja i OpenAI-së kritikoi Metën, duke thënë se “përpjekjet e tyre aktuale në fushën e inteligjencës artificiale nuk kanë funksionuar aq mirë sa kanë shpresuar dhe e respektoj qasjen agresive dhe përpjekjen për të provuar gjëra të reja.”
“Ka shumë gjëra që i respektoj te Meta si kompani, por nuk mendoj se janë një kompani e shkëlqyer në inovacion,” vazhdoi Altman. “Mendoj se ne kuptojmë shumë gjëra që ata nuk i kuptojnë.”
Ky zbulim vjen në mes të raportimeve se Zuckerberg po rekruton personalisht për një ekip të ri që synon të arrijë “superinteligjencën” – makina që janë të afta të tejkalojnë aftësitë njerëzore.
Sipas Bloomberg dhe New York Times, Zuckerberg është aq i zhgënjyer me përpjekjet e Metës në fushën e AI-së, sa që ka marrë përsipër të takohet vetë me ekspertë në shtëpitë e tij dhe ka ndryshuar planin e zyrave të kompanisë në Menlo Park për ta vendosur ekipin e ri pranë zyrës së tij.
Javën e kaluar, Meta njoftoi një investim prej 14.3 miliardë dollarësh për një pjesëmarrje prej 49 për qind në Scale AI për të mbështetur ambiciet e Zuckerberg-ut, duke përfshirë edhe punësimin e themeluesit dhe CEO-së 28-vjeçar Alexandr Wang. Disa punonjës të Scale AI do t’i bashkohen Metës si pjesë e marrëveshjes.
Gjatë viteve të fundit, Zuckerberg ka shtuar përpjekjet për ta ripozicionuar Metën si një fuqi të madhe në fushën e inteligjencës artificiale, me sukses të përzier. Intensiteti i tij në këtë drejtim është rritur pas përparimeve të mëdha të OpenAI-së, një rivali që ka mbledhur dhjetëra miliarda dollarë financime.
