Banorët e Mati 1 protestojnë për mungesë uji, KRU Prishtina jep sqarime

Banorët e Mati 1 protestuan sonte për shkak të mungesës së ujit që po vazhdon prej tre ditësh. Ata kanë akuzuar kompaninë rajonale të ujësjellësit “Prishtina” për mosveprim. Ndërkaq, KRU Prishtina ka sqaruar se furnizimi është i reduktuar për shkak të problemeve teknike në kanalin Ibër-Lepenc dhe po punohet për normalizimin e situatës.

Banorët e një kompleksi banesor në Mati 1 protestuan sonte për shkak të mungesës së ujit që po vazhdon prej tre ditësh. Ata thanë se kanë njoftuar Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, e cila u ka informuar se shkaku i mungesës është një prishje teknike. Banorët shprehën dyshime se kjo situatë mund të jetë e qëllimshme dhe për këtë arsye kanë kontaktuar edhe policinë.

Nga ana tjetër, zëdhënësja e KRU Prishtina, Arjeta Mjeku, në një deklaratë për RTKlive sqaroi situatën dhe shkakun e problemit.

“Për shkak të problemeve teknike të paraqitura në kanalin Ibër-Lepenc, kemi furnizuar me ujë vetëm përmes dy impianteve tjera, Albanik dhe Badoc, me kapacitet maksimal. Sot, ITU Shkabaj ka filluar trajtimin e ujit pas largimit gradual të turbullirës nga kanali, dhe furnizimi është rikthyer me kapacitet maksimal,” tha ajo.

Megjithatë, zëdhënësja shtoi se për shkak të kërkesës së lartë, në disa zona si Mati 1, rruga “Ndue Përleshi”, rruga “Sokol Sopi”, lagjja City Home, rruga “Bahri Ademi” dhe zona të tjera përreth, furnizimi ende nuk është plotësisht i stabilizuar.

“Kemi pritshmëri që gjatë natës dhe në orët e mëngjesit gjendja të përmirësohet dhe secili konsumator të furnizohet normalisht. Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe durimin tuaj!” përfundoi ajo. 

Go to TOP