Reagimet pas deklaratave të Trumpit

Pas tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme, presidenti Donald Trump, në një deklarim, e përmendi edhe ndërmjetësimin e tij në raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Këto mesazhe i ka komentuar sot kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti. Ai tha se për t’i normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve, Serbia pikë së pari duhet t’ua dorëzojë autoriteteve të shtetit tonë Milan Radojçiqin.

Normalizimin me Serbinë e sheh të mundur, por thotë se trysnia duhet të jetë mbi Beogradin.

Teksa komentoi deklaratën e presidentit Trump, i cili tha se do ta zgjidhë sërish çështjen mes Kosovës dhe Serbisë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se ekziston një marrëveshje bazike e cila po shkelet nga Serbia.

“Për të normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve tona është e domosdoshme që ata pikë së pari t’ua dorëzojnë autoriteteve të shtetit tonë Milan Radojçiqin, kryekriminelin i cili na e vrau rreshterin policor, heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku. Më pas të pranojnë të nënshkruajnë marrëveshjen bazike me aneksin e zbatimit dhe njëkohësisht ta tërheqin letrën nga dhjetori i vitit 2023, kur ish-kryeministrja Brnabiq pati thënë që nuk respekton integritetin territorial të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Sipas politologëve, çdo deklarim nga presidenti i shtetit më të fuqishëm është i mirëseardhur në aspektin strategjik, por duhet parë se çfarë mund të bëhet në aspektin praktik.

“Nëse SHBA-ja dëshiron të fillojë nga një problem më i vogël, siç është Kosova dhe Serbia, në raport me Lindjen e Mesme, mund të zgjidhet shumë shpejt, që SHBA-ja ta ndërtojë si një model suksesi. Por pa njohje reciproke ligjërisht të obligueshme, nuk mendoj që do të prodhojë diçka pozitive as për rajonin, por as për SHBA. Në rast se ekziston kjo, duhet të jemi edhe ne vigjilentë se si t’i qasemi kësaj qasjeje të re të SHBA-së”, nënvizoi politologu Arifi.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të dielën shkroi se gjatë mandatit të tij të parë, Serbia dhe Kosova po përplaseshin fort dhe se ky konflikt ishte gati të shpërthente në luftë.

Mes tjerash, tha se Biden e ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime të marra, por theksoi se ai do ta zgjidhë përsëri.

Go to TOP