Çfar po ndodhë me PDK?! Apo kush do duhej të udhëheqë me PDK dhe pse!

Shkruan: Burim Bislimi

Më 5 nëntor 2020, pas konfirmimit të aktakuzës nga Dhomat e Specializuara në Hagë, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i Presidentit të Kosovës. Po atë ditë, ai udhëtoi menjëherë për në Hagë, ku iu dorëzua vullnetarisht autoriteteve të Gjykatës Speciale. Kjo ishte një tronditje për tërë vendin! Aktakuza ishte konfirmuar edhe për Kadri Veselin i cili ishte në krye të PDK-së e i cili njejtë si presidenti Thaçi, menjëherë dha dorëheqje nga kreu i partisë dhe edhe ky vullnetarisht iu dorëzua Hagës. Të dy liderët dukej që pas betejave të shumta për lirinë e vendit, nuk po i iknin as kësaj beteje e cila ishte mbrojtje e luftës së shenjtë të UÇK, e themeleve të lirisë dhe shtetësisë së Kosovës.
E më tutje, ndodhte ajo që pritej: për kundërshtarët dhe armiqtë politik të PDK-së të cilët kishin krijuar dhe ndërtuar një narracion të tmerrshëm për këto figura dhe vet Partinë Demokratike të Kosovës kjo ishte jashtëzakonisht e mirëseardhur dhe ata vazhdonin edhe më tutje forcimin e narracionit të njëjtë. Kjo me tendencën e shkatërrimit të kësaj partie shtetformuese!
Emri që në këtë periudhë të rëndë për PDK do të trashëgonte udhëheqjen e partisë nga Kadri Veseli e Hashim Thaçi, Enver Hoxhaj, miku i Hashim Thaçit e Kadri Veselit që nga koha e studimeve në Prishtinë. Hoxhaj kishte një përvojë të mirë në politikë dhe ishte treguar si ministri më i suksesshëm edhe kur udhëhiqte Ministrinë e Arsimit e edhe atë të Jashtmen. Njihej si politikani, politikat e të cilit ishin kontribut i madh në ngritjen e mirëqenies dhe statusit shoqëror të mësimdhënësve nga arsimi parafillor deri te ai universitar. Njihej si reformator i arsimit dhe si personi që kishte ndërtuar mekanizmat më të qëndrueshëm të arsimit. Që nga përfundimi i mandatit të tij si ministër i arsimit, MASHT ka vazhduar me mekanizmat e ndërtuar nga Hoxhaj, eventualisht nëse më vonë nuk është shkatërruar ndonjë. Si Ministër i Jashtëm, politika e jashtme e Kosovës kishte arritur pothuaj të gjitha qëllimet që ia kishte vënë vetes para. Anëtarësim në qindra organizata ndërkombëtare të vogla e të mëdha, qindra njohje…
Për më tepër, Enver Hoxhaj kishte kaluar edhe në të gjitha rrjedhat e shtetformimit dhe shtetndërtimit që nga fillimi i negociatave në Vjenë e tutje, por edhe më parë. Si student në Vjenë – e këtë e kuptova gjatë studimeve të mia të masterit në Vjenë – kishte luajtur një rol të rëndësishëm medial në etablimin e Kosovës por njëkohësisht, duke qenë në kontakt me miqtë e tij në front, ai në mediat austriake dhe gjermanofone kishte arritur të formësoj dhe ndryshoj mendimin e një shtrese të rëndësishme gjermanofone për të ardhmen e Kosovës. Por ajo që ishte e rëndësishme për PDK, Hoxhaj së bashku me Hajredin Kuqin por edhe Arsim Bajramin një kohë të gjatë nga publiku njiheshin dhe identifikoheshin si kokat intelektuale dhe të ideve të Partisë Demokratike.
Kjo me siguri kishte bindur Kadri Veselin që në këtë periudhë të rëndë që po kalonte partia e tij dhe ai së bashku me presidentin Thaçi, u.d. të Kryetarit të PDK të emëronte pikërisht Enver Hoxhajn.
-II-
Kur Hoxhaj e mori detyrën si u.d. i kryetarit të partisë, Partia Demokratike e Kosovës ishte në situatën më të rëndë që nga themelimi i saj. Si pozicionim nga zgjedhjet e vitit 2019, PDK kishte pësuar rënie drastike duke arritur të dalë e treta në ato zgjedhje. Për më tepër, shkuarja e krerëve kyç në Hagë kishte dezorientuar tërë politikbërjen e PDK. E ajo që ishte më e keqja, përkundër kësaj situate, brenda PDK vëreheshin tendencat dhe ambiciet personale irracionale të shumë akterëve brenda partisë. Në intervistat dhe prononcimet publike të shumë akterëve të kësaj partie në këtë periudhë të rëndë vërehej që më shumë kishin frikën e humbjes së ndikimit në parti se sa brengën që partia kishte marrë tatëpjetën. Pra, kjo bënte të qartë që Hoxhaj krahas shumë sfidave tjera, duhej të ballafaqohej me probleme të stabilizimit të partisë dhe duke pasur parasysh që këto ambicie të njerëzve mund të qonin në përçarje të partisë, ai duhej të ishte i kujdesshëm dhe të ruaj unitetin në parti që partia të mos përçahej.
Ambiciet e fshehura, frika, pasiguria etj., të gjitha këto brenda PDK nga qytetarët dhe publiku ndoshta më së miri u vërejtën gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë në vitin 2021. Në ato zgjedhje, edhe pse vetëm Ushtrues Detyre i Kryetarit të PDK-së, listës së PDK i priu vet Enver Hoxhaj. Fushata filloi me të gjitha shtizat si nga partitë tjera poashtu edhe nga mediat ishin të drejtuara kryesisht mbi PDK. Nuk mungonte propaganda dhe shpifjet deri më të ultat edhe kundër personit dhe personalitetit të Hoxhajt. Nga ish-bashkëpartiakë sulmohej e shpifej sikur Hoxhaj kishte pasur deklarata negative për UÇK-në. E bashkëpartiakët e tij sikur harruan që Hoxhaj që nga koha e studimeve ishte mik i ngushtë i Hashim Thaçit e Kadri Veselit! Sikur harruan që Hoxhaj e Thaçi kishin ikur së bashku në Vjenë e edhe atje kishin ndarë dhomën me njëri tjetrin! Sikur harruan që gjatë luftës Hoxhaj kishte qenë ura lidhëse e komunikimit të këtyre krerëve nga fronti me atë pjesë të botës! Sikur harruan që ai pozicionet e tij politike i kishte pikërisht për shkak të besimit që ai me krerët e UÇK-së e kishte krijuar që nga rinia e me vite dhe ishte ndër të paktët me përgatitje akademike! Sikur harruan që ai me vite kishte qenë një nga kokat më të vlerësuara të partisë së tij! Asnjë fjalë nga ta! Vetëm njëri ndër themeluesit e UÇK, profesori Nuri Bexheti (e që nuk ishte pjesë e PDK) e bëri të qartë rolin e Hoxhajt në luftë dhe rëndësinë e tij! Por asnjë fjalë nga bashkëpartiakët e tij!!!
E fillimin e konflikteve të brendshme për shkak të ambicieve irracionale qytetari e vërejti pikërisht gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2021, kur personalitete brenda PDK në koloare të ndryshme bënin thirrje të mos votohej numri 1 i partisë dhe shpërndanin emra që duhej të votoheshin, por pa emrin e Hoxhajt. Përkundër sulmeve nga jashtë dhe brenda, përkundër sondazheve totalisht të pafavorshme të PDK në fillim të fushatës, PDK nën udhëheqjen e Hoxhajt arriti të radhitet e dyta në garë. Pra, përkundër situatës së rëndë të partisë, sulmeve që i përjetonte partia, faktit që nuk ishte kryetar i zgjedhur fuqiplotë por u.d. i kryetarit dhe kishte një ekip të trashëguar që dinte ta sabotonte dhe me këtë përkundër sulmeve që përjetonte vet Hoxhaj nga brenda dhe jashtë partisë, nën udhëheqjen e tij PDK arriti ngritje dhe u ngrit nga vendi e tretë në të dytin edhe atë duke e ruajtur unitetin e partisë!
-III-
Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, për PDK dhe Hoxhajn dukej që filloi një fazë e re! Në atë frymë të rëndë të zgjedhjeve, pasi PDK me Hoxhajn doli e dyta dhe me këtë mori epitetin e udhëheqësit të opozitës, duket që brenda partisë filluan betejat e protagonizmit dhe ndikimit që thënë shkurt ishin apetite për bajraktarizëm.
PDK e cila doli e dyta së bashku me partinë tjetër opozitare LDK, e cila nga pozita e dytë nga viti 2019 kishte rënë në të tretën në vitin 2021, u ndikuan tej mase nga presioni i LVV dhe dukej sikur ato donin të “reformoheshin” për hir të LVV. Nocioni „kuadro të reja“ keqkuptohej dhe interpretohej sikur partitë duhej të kishin brenda njerëz me moshë të re e jo figura të reja. Ky keqinterpretim ishte më shumë për nevojë të grupeve të caktuara: Në PDK vlente për ata që dëshironin moshumbjen e ndikimit brenda partisë e për LDK për ata që donin të mernin ndikimin në LDK! Në mars 2021 udhëheqjen e LDK e mori miku i Vjosa Osmanit, e cila ishte ngritur nga LDK dhe Isa Mustafa, por votuesin e LDK e kishte mësuar të votoj për VV, Lumir Abdixhiku! E kur në PDK u vërejt nevoja e të pasurit një kryetar fuqiplotë vazhdonin, betejat brenda partisë. Flitej për grupime e beteja bëhej kryesisht kundër personit që në situatën më të rëndë kishte arritur ta qoj partinë në vendin e dytë, Enver Hoxhajt. Në fund, përkundër që pritej që ai të ishte kandidati favorit, ai nuk garoi fare. Bashkëpartiaku i tij Ramiz Lladrovci para garës përmes një statusi në facebook, në të cilin vërehej që ishte „nën ndikim të ndikimit“ sikur ia bëri me dije që nuk ishte përkrahës i tij. Aty vërehej qartazi që mund të kishte një përçarje në parti dhe si duket për të ruajtur edhe më tutje një unitet në parti, Hoxhaj nuk iu fut fare garës. Kryetar u zgjodh Memli Krasniqi!
-IV-
Zgjedhja e Memli Krasniqit në mungesë të një kundërkandidati bëri që në parti të vijnë disa figura të reja, por pa asnjë ndikim. Kjo edhe qoi në ndjenjën që udhëheqjen e partisë tanimë e kishte një grup miqsh nga shkolla e tyre e mesme që tek qytetari filloi të quhej/njihej si „grupi i Xhevdet Dodës“. Dukej sikur brenda partisë po zhvillohej një betejë e këtij grupi me gjeneratën që kishte ndërtuar partinë dhe shtetin.
Në anën tjetër, opozitarizmi i dobët i partive opozitare e me këtë edhe e PDK si prijëse e opozitës lënte shumë për të dëshiruar. Partia gjatë kësaj kohe priste që qeveria të gabojë, me shpresën që kështu opozita vetvetiu do të rritej. Qeveria gabonte e PDK si edhe partitë tjera nuk ishin në gjendje të ndërtonin as një temë e lëre më kauzë! Vërehej qartazi që mungonte dija, mungonin idetë, mungonin veprimet, mungonte kontakti me qytetarin. Vetëm opinionistët ishin ata që flisnin për situatëm dhe qytetarin e deputetët bënin sehir dhe përfitonin benificionet. Shumë nga ata që punën e deputetit e kishin punë sekondare apo terciare shikonin atë që e kishin punë primare: bizneset e tyre! Nëpër degë të partisë filluan zërat e përçarjes. Atje filloi instalimi i personave të afërt që mund të ofronin ndonjë dhjetëvotësh për ndonjë individ të kryesisë së re, e pasivizoheshin personat që kishin bagazhin të bënin qindra vota për partinë. Filloi zëvendësimi i dijes dhe përvojës me mosdijen dhe papërvojën. Partia dukej që kishte rënë në rang të dytë, në kolaps.
E kjo u vërejt veçanërisht në zgjedhjet e fundit në vitin 2025! Për herë të parë garës për kryeministër nuk iu fut i pari i partisë por një kryetar i një komune: Bedri Hamza. Gjatë fushatës Bedri Hamza u dallua si një politikan me profil teknokratik, i njohur për kompetencë në ekonomi dhe administratë, por me retorikë të zbehtë politike dhe ndikim të kufizuar në mobilizimin publik. Gjatë fushatës vërehej si një figurë që më shumë përfaqëson njëfarë stabiliteti institucional sesa vizion politik bindës. Në garën e PDK në këto zgjedhje kishte ndodhur edhe një paradoks: Shefi i shtabit zgjedhor (Uran Ismajli) ishte në garë për deputet! Kjo e bënte të qartë që ky duke qenë edhe në pozitë kyqe në parti do të futej në parlament me numër të konsiderueshëm votash. Gjatë kësaj fushate qartazi vërehej se kush janë të preferuarit e shefave të rinj. Hamza përmendte me emra të favorizuarit e tij. Në media mund të i shihnim jo personat që kanë dije dhe tërheqin votë, por të preferuarit e kryesisë të cilët -përveç nja dy apo tre-më shumë shpërfaqnin mosdijen që e kishte mbuluar këtë parti se sa kompetencën që duhej të kishte partia! E edhe gjatë kësaj fushate për çudi shumë shigjeta nga grupi i partisë hidheshin mbi Hoxhajn. Vërehej qartazi që më shumë po bëhej një garë e brendshme se sa për të fituar zgjedhjet! E përkundër sulmeve, Hoxhaj ishte ndër më të votuarit. E disa të favorizuar fuqishëm nga partia dhe personat brenda partisë, madje me pretendime për ministra, nuk e kaluan as pragun. Kjo ishte një shenjë që Hoxhaj është i dëshiruari i qytetarit, përkundër mosdëshirës së individëve të caktuar në parti.
Por ndodhi më e keqja: Në zgjedhjet e vitit 2025, partia nuk lëvizi nga pozicioni në të cilin e kushte sjellur pikërisht Enver Hoxhaj në vitin 2021. Madje, duke pasur parasysh deputetët e zgjedhur u vërejt qartazi që ekziston rrezik permanent që partia të humb kontekstin nacional e të shndërrohet në parti regjionale. Pra ishte dështim edhe pse terreni ishte tërësisht i hapur e jo i vështirë si në 2021!
FAZIT
Tani brenda PDK duket që do ketë një konventë! Konventa do jetë për të vazhduar mandatin e Memli Krasniqit deri pas zgjedhjeve komunale. Momentalisht duket qartazi që disa komuna që udhëhiqen nga PDK i ka shumë të rrezikuara. Tanimë është publike që Bedri Hamza – i cili pas zgjedhjeve si prijës i listës çuditërisht u tërhoq nga mandati i deputetit – nuk do të kandidojë në komunën e tij. Kryetari i partisë Memli Krasniqi nuk ka kandiduar as për kryeministër e nuk e kemi dëgjuar që do të jetë as për komunë duke u shndërruar kështu në një kryetar që nuk i ka në qejf betejat e rënda. Ka zëra që në një konventë eventuale pas zgjedhjeve komunale kandidat për kryetar partie mund të jetë Bedri Hamza, flitet edhe për Uran Ismajlin. I pari i cili nuk e kishte lëvizur partinë nga pozicioni ku e kishte sjellë Enver Hoxhaj e i dyti të cilin disa opinionistë e quajnë „politikan me korrespodencë“!
Bazuar në faktin që ky shkrim është rezultat i shumë diskutimeve dhe vrojtimeve, por nuk dua ta fsheh faktin që Hoxhaj ishte profesor i imi gjatë studimeve në Prishtinë dhe kjo më kishte dhenë mundësinë që ta përjetoj intelektualitetin dhe dijen e tij, unë si qytetar i kësaj Republike pres që udhëheqja të mos degradohet edhe më tej por ajo të prihet nga dija dhe kompetenca – diçka që do rriste edhe kualitetin e politikbërjes dhe të udhëheqjes. Partia Demokratike e ka pasur rastin të shohë që Enver Hoxhaj gjatë udhëheqjes kishte vendosur interesin e partisë si qëllim të parë për të mbajtur unitetin e kësaj partie, ka arritur që partinë me punën dhe dijen e tij ta sjellë nga pozita e tretë në të dytën. Andaj, me siguri që para të gjithë këtyre emrave që u përmendën Hoxhaj do ta sjellte atë edhe në vendin e parë. Andaj, edhe si dikush që ishte që nga themelimi pjesë e kësaj partie, pres që Enver Hoxhaj të kandidoj dhe fitoj. Kjo do ishte edhe vazhdim i porosisë së etërve të PDK-së të cilët ia kishin besuar partinë e udhëheqja e tij do e mbante partinë në nivel nacional. Duke ditur që Hoxhaj është figurë ndërkombëtare, nën udhëheqjen e tij partia do i kalonte edhe kufijtë nacional. E nëse nuk i krijohet hapësira të kandidoj dhe fitoj, atëherë fajin e ka vet PDK dhe tregohet qartazi që PDK nuk e dëshiron fitoren por vetëm realizimin e interesave personale të individëve të caktuar dhe grupeve të caktuara andaj dhe nuk meriton më mirë se sa është! E pastaj me siguri që qytetari nuk do shohë alternativë te kjo PDK nëse ajo nuk i ofron më të mirën! Dhe ajo (PDK) të vazhdojë rrugën në të cilën është futur: nga parti nacionale shtetformuese në parti regjionale! Nga parti regjionale në komunale apo edhe më keq, të kopjojë AAK-në dhe të shndërrohet në parti familjare!
(Autori është Master i Shkencave të Historisë të Universitetit të Vjenës)

Go to TOP