Adem Haliti shënon 10 vite angazhim për transparencë në Komunën e Obiliqit
Adem Haliti ka shënuar sot një moment të veçantë në karrierën e tij profesionale – 10-vjetorin e angazhimit të tij si Zyrtar për informim dhe marrëdhënie me publikun në Komunën e Obiliqit. Me këtë rast, Haliti ka reflektuar mbi një dekadë përkushtimi dhe pune në avancimin e transparencës institucionale dhe forcimin e komunikimit me qytetarët.
“Gjatë kësaj dekade, pata nderin dhe përgjegjësinë që, përmes punës sime, të kontribuoj që Komuna e Obiliqit të renditet ndër komunat më transparente në vend,” ka shkruar Haliti në një postim publik.
Ai ka theksuar se meritat më të mëdha për këtë arritje i takojnë Kryetarit të Komunës, Xhafer Gashi, të cilin e ka cilësuar si një lider vizionar, të hapur dhe atdhedashës, që ka ditur të sistemojë kuadro profesionale në pozitat e duhura dhe t’u japë hapësirë të rinjve për avancim.
“Faleminderim i veçantë shkon për ekzekutivin dhe shërbyesit civilë të Komunës, për përkushtimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në promovimin e transparencës dhe komunikimit me publikun,” ka shtuar ai.
Për Halitin, kjo përvojë dhjetëvjeçare përbën një kapitull të çmuar në jetën e tij profesionale dhe një shtysë për të vazhduar edhe më tej në shërbim të qytetarëve dhe interesit publik. /Kosova.info/
