Muharremi: Politikanët po bllokojnë vendin, jo njëri-tjetrin – ky është vetë-shkatërrim institucional

Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar me tone të ashpra ndaj bllokadës së vazhdueshme institucionale në Kosovë duke e cilësuar situatën si një akt vetë-shkatërrimi të skajshëm nga klasa politike. Në një postim ku përshkruan realitetin e zymtë global dhe sfidat e sigurisë, Muharremi thekson se ndërkohë që bota përballet me konflikte serioze dhe kërcënime kibernetike e ushtarake, politikanët kosovarë janë të përqendruar në bllokada të brendshme.

“Bota po digjet, raketat e sulmet si në filmat Star Wars… e politikanët kosovarë po e bllokojnë Parlamentin. Kënd po e bllokojnë? Vetën e tyre. Demokracinë, kontrollin parlamentar e llogaridhënien, potencialin e këtij vendit po e ngulfatin”, shkruan ai.

Muharremi kritikon faktin që janë bërë më shumë se katër muaj nga zgjedhjet dhe mbi 30 përpjekje të dështuara për të funksionalizuar Parlamentin. Ai e sheh këtë si një simptomë të thellë të paaftësisë politike dhe mungesës së përgjegjësisë ndaj qytetarëve, në një kohë kur Kosova përballet me sfida serioze të sigurisë, infrastrukturës kritike dhe emigracionit masiv.

“Ekonominë më të dobët në Europë. Fshatërat po na zbrazen nga emigrimi, shkollat po na mbesin të zbrazëta… Importi dhe deficiti kanë shku në qiell, gati dyfish më i lartë se buxheti i shtetit”, thekson Muharremi duke ngritur alarmin për mungesën e një drejtimi të qartë strategjik.

Ai i akuzon politikanët se në vend se të frymëzojnë, të ofrojnë shpresë dhe zgjidhje, janë kthyer në simbol të bllokimit duke e paralizuar zhvillimin dhe potencialin e vendit.

Me ironi të thellë e përfundon reagimin:

“Bravo djema, jeni ‘super’ politikanë. Mos na raftë me ju harru kurrë.” /Kosova.info/

Go to TOP