Ajvazi me mesazh për kandidatët: Ecni si prindër në qytetin tuaj, pastaj kërkoni votën!

Aktivisti Kushtrim Ajvazi ka dhënë një këshillë simbolike, por me shumë domethënie për kandidatët që synojnë të garojnë në zgjedhjet lokale.

Përmes një postimi, ai ka ftuar të gjithë kandidatët që, para se të kërkojnë votën e qytetarëve, të bëjnë një shëtitje nëpër qytetin e tyre – jo si politikanë, por si prindër.

“Ecni në këmbë nëpër qytetin tuaj. Merrni karrocën e fëmijës suaj dhe provoni ta shtyni përgjatë trotuareve, rrugëve e shesheve”, ka shkruar Ajvazi.

Sipas tij, vetëm atëherë do ta kuptojnë se sa pak është menduar për fëmijët në planifikimin urban: për sigurinë, lirinë e lëvizjes, ajrin që thithin dhe për të ardhmen që po ndërtohet për ta.

Postimi i Ajvazit vjen në prag të fushatave për zgjedhjet lokale duke ngritur një reflektim të thellë për përparësitë që duhet të kenë politikat publike dhe planifikimi urban në raport me mirëqenien e brezave të rinj. /Kosova.info/

Go to TOP