Haziri: Qeveria e pakicës nuk po funksionon, zgjidhja është Qeveria e Unitetit
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka komentuar skenarin e shumëpërfolur të një qeverie të pakicës duke e cilësuar atë si një opsion të dështuar dhe të paqëndrueshëm për Kosovën. Ai thekson se për muaj me radhë është diskutuar për këtë mundësi nga ana e opozitës, por në praktikë nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret për të ndërtuar shumicën e nevojshme parlamentare që do ta bënte të realizueshme.
Sipas Hazirit, është bërë e qartë se nga 11 deputetët e komuniteteve jo-serbe, shumica dërrmuese kanë treguar lojalitet ndaj Qeverisë aktuale të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje, përmes figurave si Emilja Rexhepi dhe Elbert Krasniqi. Ai shprehet se këta deputetë kanë shkuar aq larg sa ta portretizojnë LDK-në si parti shoviniste, një gjë që ai e cilëson si pasojë të instrumentalizimit të tyre nga VV për interesa të përditshme politike.
Në anën tjetër, Haziri thekson se deputetët e dalë nga subjektet shqiptare, si rasti i Fatmir Limajt, nuk kanë ofruar garanci për ndonjë koalicion të ri opozitar. Ndërkohë, nëntë deputetët e Listës Serbe nuk janë pjesë e asnjë procesi politik që nga 9 shkurti duke thelluar edhe më tej boshllëkun institucional.
Duke iu referuar kësaj gjendjeje të bllokuar, Haziri bën thirrje për qasje racionale dhe ndërtimin e një Qeverie të Unitetit Kombëtar si zgjidhje kalimtare, me agjendë të qartë dhe qëllim të përbashkët. Ai propozon një periudhë nëntëmujore, gjatë së cilës do të mund të hapeshin procese të reja politike dhe të krijohej mundësia për zhbllokimin e institucioneve dhe rikthimin e stabilitetit politik në vend. /Kosova.info/
