26 vjet KFOR, Barduani: 220 ushtarë humbën jetën gjatë sigurimit të paqes në Kosovë

Misioni më i gjatë në historinë e Aleancës Veri-Atlantike, Forca e Kosovës (KFOR), shënoi sot 26-vjetorin e themelimit të saj me një ceremoni përkujtimore të mbajtur në selinë qendrore të KFOR-it në Kampin “Film City”, në Prishtinë.

Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Enrico Barduani, udhëhoqi ceremoninë duke vendosur një kurorë dafine në monumentin kushtuar ushtarëve të rënë gjatë shërbimit në Kosovë. Në ceremoni morën pjesë pjesëtarë nga të 33 vendet kontribuese të trupave, përfshirë aleatët dhe partnerët e NATO-s.

“Përkujtojmë sot guximin dhe përkushtimin e ushtarëve të KFOR-it, të cilët kanë rrezikuar jetën për të siguruar paqe dhe stabilitet për të gjitha komunitetet në Kosovë, nën një mandat të OKB-së. Që nga viti 1999, 220 pjesëtarë të KFOR-it kanë humbur jetën në krye të detyrës. Shembulli i tyre duhet të na frymëzojë çdo ditë në përmbushjen e misionit tonë,” theksoi gjenerali Barduani.

Ai shtoi se KFOR-i, si misioni më jetëgjatë dhe aktualisht më i madh i NATO-s, përfaqëson përkushtimin e qëndrueshëm dhe të prekshëm të Aleancës për ruajtjen e sigurisë në Kosovë dhe stabilitetit rajonal.

KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet dhe liri të lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. Forca bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, në kuadër të rolit të tyre si përgjegjës për sigurinë. /Kosova.info/

Go to TOP