Romanovka, raca e deleve me pjellshmëri rekorde edhe në Kosovë

Me shekuj me radhë si familje kishin mbarështuar dele, krahas bagëtive tjera. Astrit Rexhepaj, nga Radavci i Pejës tashmë ka filluar të mbarështojë një lloj të deleve e cila nuk është shumë e popullarizuar në vendin tonë, atë të racës Romanovkë.

Sipas ekspertëve, mbarështimi i kësaj race dallon nga racat tjera. Sipas, tyre veçori tjetër e kësaj race është që pjelljen e qengjave e bëjnë për 10 ditë më herët sesa delet tjera, si dhe pjellshmëria e lartë e sajë në rekord deri në 8 qengja.

Rexhepaj për emisionin ‘Toka’ në RTK thotë se njohuritë e para për këtë racë i kishte marrë përmes internetit. Delen e parë të kësaj race e kishte siguruar në vitin 2017. Sot ka rreth 40 krerë.

Rexhepaj thotë se mbarështon llojin i cili mbarështohet në Evropë.

“Mbarështimin e tyre e bëjë në mënyrë profesionale, fillimisht duke mbrojtur linjën e pastër të gjakut të tyre. Këtë e arrijë duke siguruar numër të madh të deshve të linjës së mirë që nuk janë të të njëjtës familje”, thotë Rexhepaj, duke shtuar se dallimi i deles Romanovka nga racat tjera është pjellshmëria e lartë e sajë.

“Delet Romanovkë, për 100 ditë japin 150 deri 200 kg qumësht. Për shkak të numrit të lartë të qengjave, ata duhet të ushqehen edhe me qumësht shtesë. si race, nuk është e vështirë të mbarështohet, vështirësi e vetme është procesi i lindjes për shkak të numrit të lartë të qengjave”, thotë ai Tutje, sipas tij, delja Romanovkë mbarështohet në regjim stallor dhe nuk preferohet të mbarështohet në kullosa.

“Sa i përket shëndetit, vlerësohen të qëndrueshme dhe menaxhimi shëndetësor i tyre nuk dallon nga delet tjera. Madje sëmundja e këmbëve që i prek llojet e deleve në të shumtën e rasteve, te kjo racë është shumë e rrallë”, thotë Rexhepaj, duke shtuar se përparësi te kjo dele është shitja e sigurt dhe çmimi i lartë i qengjave Ai thotë se subvencione për kokë të deles, ka filluar të përfitojë këtë vit, pasi nuk kishte numrin e mjaftueshëm për të përfituar nga kjo masë.

“Vlera e subvencioneve për këtë racë të deleve s’është e mjaftueshme për shkak të shpenzimeve që kanë por është e mirëseardhur, mirëpo aktualisht kam nevojë edhe për ndihmesë për stallë të re, pasi planifikoj të rrisë numrin e kësaj race deri në 100 sosh”, thotë ai.

Në anën tjetër, kinologu i cili njëherësh me profesion është edhe mjek veteriner nga Komuna e Pejës, Muhamet Nikqi, thotë se kjo racë e deleve mbizotëron në krahasim me delet tjera në aspektin ekonomik.

“Përveç pjellshmërisë së lartë ka edhe sasi të lartë dhe cilësi të madhe të leshit”, thotë Nikqi për emisionin ‘Toka’ në RTK.

Ndërkaq, për cilësinë e leshit dhe lëkurës së deles Romanovkë dhe karakteristikat e tjera tregon profesori, Hajrip Mehmeti, ligjërues i lëndës së ripërtëritësve të imët në Fakultetin e Bujqësisë, në Prishtinë.

“Rekordi i pjellshmërisë të kësaj race të deleve është 8 qengja për një lindje. Qengjat janë shumë dinamikë, ku qysh në javën e parë, përpos qumështit fillojnë të konsumojnë sanë, bari dhe koncentrat”, thotë Mehmeti për emisionin ‘Toka’ në RTK.

Veterineri Nikqi thotë se për të ruajtur pjellshmërinë e lartë të kësaj race të deleve duhet që mbarështuesit të kryejnë në mënyrë profesionale mbarështimin e tyre. Kjo, sipas tij, arrihet përmes mbarështimit maksimalisht të 10 deleve me një dash.

“Sot ekzistojnë 3 tipa delesh Romanovkë, sipas konstitucionit trupor ndahen: Me konstitucion te fortë, të butë dhe të ashpër. E para ka pjellshmëri më të lartë dhe rendimenti i mishit është më i madh”, thotë Nikqi

Ai thotë se sa i përket peshës, qengjat për 100 ditë mund të arrijnë deri 30 kg peshë të gjallë dhe se mishi i kësaj race ka përmbajtje më të ulët të kolesterolit në krahasim me atë të deleve tjera.

Ndryshe, delja Romanovkë është standardizuar për herë të parë në vitin 1908 në Rusi dhe pastaj është shpërndarë në Evropë, ku kohëve të fundit mbarështohet me shumë profesionalizëm në shtetin evropian Çeki.

Go to TOP