Abdixhiku, Zhegrova e Rashica në fushë për fëmijët në nevojë – Loja humanitare për çlirimin e Prishtinës përfundon 6:6

Në përvjetorin e çlirimit të Prishtinës, u mbajt një lojë humanitare në përkrahje të fëmijëve me nevojë, ku figura të njohura nga sporti, arti dhe politika u bashkuan në një atmosferë festive e solidarizuese.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ishte një nga pjesëmarrësit e ndeshjes duke luajtur krah për krah me yjet e futbollit si Edon Zhegrova, Albion Rrahmani dhe Milot Rashica. Ai u shpreh me humor dhe admirim për shpejtësinë dhe talentin e bashkëlojtarëve duke thënë se “në televizor duken të shpejtë, por në fushë janë edhe më të frikshëm”.

Loja përfundoi me rezultat të barabartë 6:6, mes ekipit të Edon Zhegrovës dhe atij të Milot Rashicës. Abdixhiku falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, publikun entuziast dhe kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, për organizimin e mbrëmjes.

Një falënderim të veçantë ia kushtoi portierit të ekipit të tij, Vedatit, për atmosferën pozitive dhe energjinë që solli në zhveshtore.

Ngjarja përveçse përçoi një mesazh human dhe solidar, shënoi një tjetër moment uniteti e gëzimi në kryeqytetin e lirë të Kosovës. /Kosova.info/

Go to TOP