Kryeziu reagon pas deklaratës së Nait Hasanit: Shteti në pauzë, Kuvendi i bllokuar nuk është më çështje teknike

Analisti dhe drejtuesi i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka reaguar pas deklaratës publike të deputetit Nait Hasani, i cili sot tha se po merr pjesë “për herë të fundit në Kuvend”, në shenjë proteste ndaj mosfunksionimit të tij.

Kryeziu vlerëson këtë veprim si një akt përgjegjësie, dhe jo si shmangie nga detyra. Ai thekson se moskonstituivi i Kuvendit pas më shumë se 30 tentativash nuk është më problem teknik, por politik dhe moral.

“Sot, deputeti Nait Hasani, përmes këtij veprimi tregoi se nuk po ikën nga përgjegjësia. Përkundrazi, po e mbron atë me një akt proteste, bojkotim,” shkroi Kryeziu.

Sipas tij, politika nuk është vetëm votë dhe pushtet, por edhe përgjegjësi dhe llogaridhënie – parime që duhet t’i ndjekin edhe 119 deputetët e tjerë.

Ai kritikon ashpër mënyrën se si po funksionon Kuvendi duke thënë se një parlament pa diskutim, pa votim dhe pa përfaqësim, që udhëhiqet sipas tekeve personale dhe partiake, duhet të bojkotohet nga të gjithë deputetët.

“Deputetët nuk duhet të heshtin. Nuk duhet të bëhen pjesë e bllokadës që po e vendos shtetin në pauzë dhe po e dëmton demokracinë,” përfundon Kryeziu duke e shoqëruar reagimin me hashtagun: #ShtetiNePauze. /Kosova.info/

Go to TOP