Murtezaj proteston ndaj drejtimit aktual të LDK-së: Partia politike nuk është kompani ndërtimore

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Valon Murtezaj, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së vendimmarrjes brenda partisë duke e quajtur situatën aktuale si “pikën më të ulët të demokracisë” në këtë subjekt politik.

Në një reagim publik, Murtezaj ka protestuar kundër paralajmërimit për prezantimin e një agjende të re politike, që sipas tij është bërë pa konsultim dhe pa miratimin e organeve statutare të partisë. Ai e ka konsideruar këtë veprim si një shkelje të hapur të statutit të LDK-së duke theksuar se vetëm Këshilli i Përgjithshëm ka të drejtë të miratojë orientime të tilla politike për Kosovën.

“Një orientim i tillë politik për Republikën e Kosovës duhet të ndërtohet përmes konsultimeve të gjëra,” ka deklaruar Murtezaj duke kritikuar edhe përdorimin e emërtimeve të ndryshme dhe të paqarta për formën e qeverisë së re që po propozohet:

Qeveri Nacionale e Tranzicionit

Qeveri Nacionale Kalimtare

Qeveri Gjithpërfshirëse Kalimtare

Qeveri Gjithpërfshirëse e Unitetit

Qeveri e Unitetit

Qeveri e Unitetit Kombëtar

Ai ka rikujtuar trashëgiminë e LDK-së si partia e demokracisë së parë në rajon dhe e figurave historike si Ibrahim Rugova duke paralajmëruar se braktisja e parimeve demokratike është e pafalshme dhe e dëmshme, si për partinë ashtu edhe për vendin.

“Partia politike nuk është kompani ndërtimore. Partia politike është organizatë shtet-ndërtimore,” ka theksuar Murtezaj duke përfunduar me mesazhin e tij të qartë: “Autokracia dhe oligarkia në LDK nuk kanë vend dhe nuk do të kenë. Për demokraci gjithmonë.” /Kosova.info/

Go to TOP