Nisin punimet për asfaltimin e rrugës “Abdyl Frashëri” në Prishtinë – qarkullimi me vështirësi për 7 ditë
Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët se nga data 11 qershor 2025 do të fillojnë punimet për shtresimin e rrugës “Abdyl Frashëri”, të cilat do të zgjasin për shtatë ditë.
Drejtoria e Investimeve Kapitale, e udhëhequr nga drejtori Sokol Havolli, do të realizojë projektin që përfshin gërryerjen e shtresës ekzistuese të asfaltit, nivelimin dhe vendosjen e asfaltit të ri, si dhe rregullimin e kapakëve të pusetave dhe elementeve të tjera të rrjetit rrugor.
Punimet do të zhvillohen gjatë orarit të ditës, ndërsa gjatë kësaj periudhe do të ketë vështirësi dhe pengesa të përkohshme në qarkullim në këtë rrugë.
Komuna u bën thirrje qytetarëve për mirëkuptim lidhur me shqetësimet që mund të shkaktohen gjatë realizimit të punimeve dhe u kërkon atyre që të ndjekin udhëzimet në terren për të siguruar një qarkullim sa më të sigurt. /Kosova.info/
