`Pastrimi` u bën thirrje qytetarëve të Prishtinës për pagesën e faturave
Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” Sh.A. u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Komunës së Prishtinës që të përmbushin obligimin ligjor për pagesën e faturave për shërbimin e grumbullimit dhe menaxhimit të mbeturinave.
Në komunikatën e publikuar, kompania thekson se ky obligim bazohet në Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave të miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës dhe e validuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Mjedisit. Rregullorja ka marrë fuqi të plotë ligjore dhe zbatuese edhe pas verifikimit gjyqësor, pasi Gjykata Supreme ka refuzuar kërkesën për pezullimin e saj.
“Pagesa e faturave për shërbimin e mbeturinave është detyrim ligjor për të gjithë qytetarët”, thuhet në njoftim.
Nga kompania theksojnë se pagesat e rregullta kontribuojnë në përmirësimin e shërbimit, duke e bërë atë më të qëndrueshëm, më të shpejtë dhe më efikas për qytetarët e kryeqytetit.
Për lehtësimin e procesit, qytetarët mund të kryejnë pagesat edhe online përmes platformës e-Kosova, si dhe në sportelet fizike të kompanisë “Pastrimi”. /Kosova.info/

