Rama shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të Bujar Bukoshit: La gjurmë të pashlyeshme në rrugën drejt lirisë
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur ngushëllime të thella pas lajmit për ndarjen nga jeta të Bujar Bukoshit, ish-kryeministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil dhe bashkëthemelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Përmes një mesazhi publik, Rama e cilësoi Bukoshin si një figurë të rëndësishme të historisë së re të Kosovës, i cili me veprimtarinë e tij si mjek, intelektual dhe udhëheqës politik, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë së vendit.
“Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të Bujar Bukoshit, ish-kryeministrit të Qeverisë së Kosovës në ekzil, bashkëthemeluesit të LDK-së dhe bashkëpunëtorit të Ibrahim Rugovës. Kontributi i tij është pjesë e pandarë e historisë sonë,” tha Rama.
Ai i shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes Bukoshi dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tij duke e përmbyllur mesazhin me vlerësim për trashëgiminë që Bukoshi la pas në shërbim të Kosovës. /Kosova.info/
