Abdixhiku: Sabri Hamiti është një nga shkruesit e heshtur të historisë sonë letrare
“S’ka fat më të madh sesa të plakesh në Prishtinë, e dekën me e pasë në Prishtinë, edhe shenjën e gjakut me e lanë. Të gjitha udhët nisen nga Prishtina.”
Me këto vargje të ndjera, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka nderuar sot Akademik Sabri Hamitin në promovimin e tre librave të tij të rinj, që u mbajt në Bibliotekën Kombëtare.
Në këtë ngjarje të veçantë letrare e kulturore, u prezantuan veprat:
– Prishtina mon amour, një antologji poetike që përmbledh dashurinë, dhembjen dhe kujtesën e Sabri Hamitit për Prishtinën si topos jetësor dhe kulturor;
– Maja, një dramë në tri akte e dy kohë, e shkruar në vitin 2007 dhe e botuar për herë të parë tani, që trajton luftën dhe pasluftën e vitit 1999 në Kosovë;
– Kanoni letrar, një përmbledhje kritike që përfshin tetë libra të botuar gjatë njëzet e pesë viteve të fundit nga Hamiti dhe një ese të re mbi kritikën letrare.
Me këtë rast, Abdixhiku vlerësoi Sabri Hamitin si një nga figurat më të ndritura të mendimit shqiptar – një urë mes artit dhe dijes, një udhëheqës shpirtëror i letërsisë shqipe moderne.
“Sabri Hamiti nuk shkroi thjesht libra, por horizonte. Ai nuk ngriti thjesht teori, por vizione. Ai zgjodhi guximin e fjalës së lirë dhe thellësinë e mendimit kritik,” theksoi Abdixhiku.
Duke e përshkruar Hamitin si një nga interpretuesit më të thellë të Rugovizmit kulturor dhe një mësues të brezave, ai shtoi se mirënjohja për të “nuk është vetëm nder për një njeri, por për një trashëgimi të tërë shpirtërore dhe intelektuale të kombit.”
Promovimi i tre veprave të reja të Sabri Hamitit shënon jo vetëm një moment letrar, por një rikujtim të peshës që ka fjala e tij në formësimin e vetëdijes sonë kulturore. /Kosova.info/
