Kuvendi i Bllokuar: Kur Kapedanët partiakë harrojnë popullin që i votoi
Koment i redaksisë
Kanë kaluar më shumë se tre muaj nga përfundimi i zgjedhjeve në Kosovë, por kuvendi ende nuk është konstituuar dhe vendi mbetet pa një qeveri funksionale. Arsyeja? Interesat partiake, inatet personale dhe etja për pushtet kanë paralizuar institucionin më të lartë përfaqësues të qytetarëve Kuvendin e Kosovës.
Ajo që po ndodh është një tallje e rëndë me qytetarin dhe me vetë demokracinë. Deputetët që sot sillen si “kapedanë” nga të gjitha anët e spektrit politik, duket se kanë harruar pse janë aty. Populli i votoi jo për t’u kacafytur si në mejhane politike, por për të ndërtuar institucione, për të garantuar stabilitet, dhe për të siguruar mirëqenie për qytetarët.
Subjektet politike veprojnë me logjikën “ose unë, ose askush”.
Vendimet vonohen, ndërkohë që populli pret me halle të përditshme: papunësi, çmime në rritje, mungesë investimesh dhe largim të rinjsh nga vendi.
A thua këta deputetë e dinë se marrin paga nga taksat e këtij populli, e jo nga ndonjë pasuri që ua ka lënë babai? Si nuk u vjen turp që marrin para pa bërë asgjë, përveçse ushqejnë krizën institucionale dhe politikën e përçarjes?
Të rinjtë që shohin këtë situatë nuk kanë më besim te shteti, ata nuk mendojnë më për të ndërtuar të ardhmen në Kosovë, por si të ikin nga ky vend i mbushur me papërgjegjshmëri politike.
Kjo është më shumë se një krizë politike është një krizë morali dhe mungese përgjegjësie. Në vend të dialogut, kemi arrogancë. Në vend të bashkëpunimit për të mirën e vendit, kemi luftë për karrige dhe ndërkohë, Kosova mbetet peng i kapricove të politikanëve që mendojnë vetëm për veten.
