Sanie Kuqi Rexhepaj i bashkohet LDK-së në Suharekë
Lidhja Demokratike e Kosovës ka mirëpritur sot në radhët e saj një emër të njohur e të respektuar nga qytetarët e Suharekës – znj. Sanie Kuqi Rexhepaj. Ajo i është bashkuar zyrtarisht LDK-së, përkatësisht degës së kësaj partie në Suharekë duke shprehur besimin e saj për një angazhim të përbashkët në shërbim të qytetarëve dhe për një të ardhme më të mirë për komunën.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, së bashku me kryetarin e degës në Suharekë, Ardian Shala, pritën znj. Kuqi Rexhepaj duke i uruar mirëseardhje dhe duke e cilësuar përfshirjen e saj si një vlerë të shtuar për partinë dhe për komunitetin lokal.
Znj. Sanie Kuqi Rexhepaj është një profesioniste e spikatur në fushën e arkitekturës dhe urbanizmit. Ajo ka shërbyer me përkushtim dhe sukses si Drejtoreshë e Urbanizmit në Komunën e Suharekës gjatë periudhës 2017–2021 duke dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në zhvillimin urban dhe planifikimin e qytetit.
Aktualisht, ajo mban titullin e asamblistes më të votuar në historinë e Asamblesë Komunale të Suharekës – një dëshmi e qartë e mbështetjes së fuqishme që gëzon nga qytetarët. E diplomuar në Arkitekturë dhe me studime master të përfunduara në Universitetin e Prishtinës, znj. Kuqi Rexhepaj përfaqëson një profil të fuqishëm intelektual dhe profesional.
Përmes angazhimit të saj publik, ajo ka dëshmuar se gratë mund të jenë lidere të zonja dhe vendimmarrëse me ndikim duke u kthyer në shembull për gjeneratat e reja, veçanërisht për vajzat dhe gratë në Suharekë dhe më gjerë.
Lidhja Demokratike e Kosovës e mirëpret znj. Sanie Kuqi Rexhepaj me shumë respekt dhe entuziazëm duke besuar se përvoja, vizioni dhe integriteti i saj do të jenë një shtytje e fuqishme për një përfaqësim të denjë të qytetarëve dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të komunës së Suharekës. /Kosova.info/
