Krasniqi: Fotografia që më ndihmoi ta kuptoj një sekret të vogël të historisë

Profesori dhe opinionisti Milazim Krasniqi ka ndarë një reflektim personal përmes një fotografie dhe një përshkrimi simbolik që lidhet me historinë dhe identitetin kolektiv të Kosovës. Gjatë një kafeje me Ediben në hapësirat e ish-Unionit në Prishtinë, atij i lindi ideja për një kompozim ku ndërthuren elemente të rëndësishme historike dhe kulturore të kryeqytetit.

Në përshkrimin e tij, Krasniqi thekson se fotografia përfshin tri simbole me rëndësi të veçantë: Xhaminë e Çarshisë, e cila është ndër objektet më të vjetra të Prishtinës; shtatoren e Presidentit historik Ibrahim Rugova, të cilin e cilëson si projektuesin e një Kosove të pavarur; dhe godinën ku më 17 shkurt 2008 u shpall pavarësia e Kosovës.

“Po pinim kafe sot me Ediben në ish-Union, kur mendja ma dha idenë e kësaj fotografie, ku gërshetohet historia dhe identiteti ynë. Xhamia e Çarshisë është më e vjetra në Prishtinë, shtatorja e Ibrahim Rugovës, projektuesit të një Kosove të pavarur, është shumë mbresëlënëse, ndërsa në këtë godinë është shpall pavarësia e Kosovës që do të thotë ajo vetvetiu ka rëndësi historike,” shkruan Krasniqi.

Ai thekson se ky përshkrim përfaqëson një koncept të quajtur pranevendosje, i cili në teorinë postmoderne nënkupton bashkëekzistencën e elementeve të ndryshme. Por sipas Krasniqit, në këtë rast, pranevendosja nuk është thjesht një parim filozofik, por “produkt i fateve historike”.

“Pranevendosja, para se të jetë një parim postmodernist, është një produkt i fateve historike,” shprehet ai.

Krasniqi përmbyll postimin e tij me një ton reflektues dhe emocional: “Kafja më shijoi edhe më shumë, meqë m’u duk se e kuptova një sekret të vogël si kemi ardhë deri këtu.” /Kosova.info/

Go to TOP