Buzhala sulmon ministren: E paaftë, me interesa familjare në energji dhe pa asnjë megavat të shtuar për Kosovën
Gazetari Viktor Buzhala ka reaguar ashpër ndaj një ministreje të Qeverisë së Kosovës duke e cilësuar atë si të paaftë dhe të papërgjegjshme në menaxhimin e sektorit të energjisë. Sipas tij, pavarësisht se ndodhet në një pozitë kyçe, ministrja nuk ka arritur të shtojë as edhe një megavat orë të energjisë elektrike në vend për më shumë se katër vjet.
Buzhala thekson se gjatë mandatit të saj është thelluar varësia nga importi, gjë që ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve për qytetarët. Ai shton se ministrja ka në llogari mbi 200 mijë euro dhe ka një shefe kabineti që, sipas tij, ka interesa në sektorin e energjisë, si nga ana e babait, ashtu edhe nga bashkëshorti.
“Në kohën e saj u rrit skajshëm familjarizmi, si në udhëheqjen e KOSTT’it ashtu edhe në KEK. Në vend që të japë llogari për këtë, ajo del dhe moralizon,” shkruan Buzhala.
Ndër të tjera, gazetari ironizon faktin që ministrja ka pranuar se nuk e ka ndjekur asnjëherë debatin më të shikuar politik në vend duke ngritur pikëpyetje serioze mbi interesimin dhe angazhimin e saj në politikën kosovare. “Si mund të jetë ministre në një sektor kaq të ndjeshëm, kur as politika vendore nuk e intereson?”, përfundon ai. /Kosova.info/
