Finalja e madhe e WTT Feeder Prishtina 2025, nesër në Pallatin e Rinisë – Mos e humbni spektaklin!
Federata e Pingpongut e Kosovës ka ftuar të gjithë adhuruesit e sportit të jenë pjesë e finales së madhe të turneut prestigjioz WTT Feeder Prishtina 2025, e cila do të mbahet nesër (7 qershor) nga ora 16:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
Ky turne ka mbledhur sportistë të jashtëzakonshëm nga shumë vende të botës, të cilët që nga 3 qershori kanë garuar në kryeqytetin tonë duke dhuruar duele të forta, emocione të mëdha dhe një nivel të lartë të pingpongut ndërkombëtar.
Atmosfera në sallë ka qenë e mrekullueshme përgjatë gjithë ditëve të garës, me një pjesëmarrje të madhe të publikut që ka krijuar një ambient mbështetës dhe entuziast për sportistët.
Finalja e nesërme pritet të sjellë edhe më shumë intensitet dhe emocion. Federata fton të gjithë qytetarët që të mos mungojnë, për të përjetuar nga afër kulmin e këtij eventi të veçantë sportiv dhe për të përkrahur pingpongun vendor në një ngjarje ndërkombëtare me jehonë.
“Ju mirëpresim për një pasdite të paharrueshme me sport elitar në zemër të Prishtinës!”, thuhet në njoftimin e FPPK-së.
Hyrja është falas. /Kosova.info/
