Stjepan Mesić shpallet Qytetar Nderi i Gjilanit – Haziri: Mirëseardhje në shtëpinë e Rugovistëve
Ish-presidenti historik i Kroacisë, Stjepan Mesić, është shpallur sot Qytetar Nderi i Gjilanit, në një ceremoni të organizuar me iniciativë të Grupit të Këshilltarëve të LDK-së dhe Kryesuesit të Kuvendit të Komunës.
Lajmin e ka bërë të ditur Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili e ka cilësuar këtë nderim si një moment të veçantë për Gjilanin dhe gjithë Anamoravën.
“Pas presidentit shqiptar, Bajram Begaj, jemi të lumtur që sot presidenti historik i Kroacisë, Stjepan Mesić, u nderua me titullin Qytetar Nderi i Gjilanit. Ky është një nder i madh për qytetin tonë,” ka deklaruar Haziri.
Ai kujtoi lidhjet e hershme të Mesić-it me Kosovën, të ndërtuara nga presidenti historik Ibrahim Rugova në fillim të viteve ’90. Haziri shtoi se për herë të parë kishte takuar Mesić-in së bashku me presidentin Fatmir Sejdiu gjatë negociatave për statusin final të Kosovës duke theksuar mirënjohjen e përjetshme për mbështetjen dhe këshillat që ai kishte dhënë në atë proces historik.
“Gjilani ka nevojë për kujdesin e miqve, të cilët çdo ditë e më shumë po shtohen nën kujdesin e LDK-së. Jo vetëm miq, por gardianë të Gjilanit e Qytetarë Nderi,” përfundoi Haziri.
Ky është një tjetër hap simbolik që përforcon lidhjet e ngushta të Gjilanit me personalitete ndërkombëtare që kanë mbështetur Kosovën ndër vite. /Kosova.info/
