SHBA vendos veto ndaj rezolutës së OKB-së për armëpushim në Gaza

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur veto ndaj një kërkese të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për një armëpushim “të menjëhershëm, pa kushte dhe të përhershëm” ndërmjet Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamasit në Gaza, si dhe për lejimin e ndihmave humanitare pa pengesa në të gjithë enklavën.

Ambasadorja e përkohshme e SHBA-së në OKB, Dorothy Shea, deklaroi para votimit se Shtetet e Bashkuara nuk do të mbështesin asnjë masë që nuk dënon Hamasin dhe nuk kërkon çarmatimin dhe largimin e tij nga Gaza. Ajo shtoi se kjo rezolutë do të minonte përpjekjet diplomatike për një armëpushim që pasqyron realitetet në terren dhe do ta forconte pozicionin e Hamasit, raporton Reuters.

Nga 15 anëtarë të Këshillit të Sigurimit, 14 votuan në favor të rezolutës, ndërsa SHBA-ja ishte kundër dhe vendosi veton.

Izraeli ka refuzuar thirrjet për armëpushim të pakushtëzuar apo të përhershëm, duke theksuar se Hamasi nuk mund të qëndrojë në Gaza. Ai ka rifilluar ofensivën ushtarake që nga përfundimi i armëpushimit dy-mujor në mars, me qëllim edhe lirimin e pengjeve që mbahen nga Hamasi.

Zyrtarët shëndetësorë në Gaza raportuan se sulmet izraelite vranë 45 palestinezë të mërkurën, ndërsa Izraeli konfirmoi vdekjen e një ushtari gjatë përleshjeve. Në enklavë vazhdon kriza humanitare, ku mbi 2 milionë banorë përballen me urinë, ndërsa ndihmat kanë hyrë shumë pak që nga heqja e bllokadës 11-javore më 19 maj.

Fondacioni Humanitar i Gazës, i mbështetur nga SHBA, njoftoi se të mërkurën nuk shpërndau ndihma, duke kërkuar nga Izraeli të rrisë masat e sigurisë për civilët jashtë zonave të shpërndarjes, pas një incidenti të vdekjeprurës.

Zyrtarët e këtij fondacioni kërkuan nga ushtria izraelite të menaxhojë më mirë lëvizjen e civilëve pranë pozicioneve ushtarake, të japë udhëzime më të qarta dhe të përmirësojë trajnimin për sigurinë e civilëve.

Sipas spitaleve në Gaza, mbi 80 persona u qëlluan për vdekje dhe qindra të tjerë u plagosën pranë pikave të shpërndarjes gjatë tri ditëve të fundit, përfshirë të paktën 27 të vrarë vetëm të martën.

Banorët thanë se ushtarët izraelitë hapën zjarr ndaj turmës që ishte mbledhur para agimit për të kërkuar ushqim. Ushtria mohoi këtë, por pranoi se qëlloi ndaj personave që nuk iu përgjigjën paralajmërimeve dhe po afrohen në drejtim të tyre.

Go to TOP