Shehu mirëpret ambasadorin britanik Hargreaves në Junik: Falënderim për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar
Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka mirëpritur sot Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Shkëlqesinë e Tij, z. Jonathan Hargreaves, me të cilin zhvilloi një takim miqësor dhe përmbajtësor.
Në njoftimin e bërë publik, Shehu theksoi se në këtë takim u diskutua për zhvillimet aktuale në vend, për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe për iniciativat konkrete britanike në mbështetje të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës.
“Shehu i shprehu ambasadorit Hargreaves mirënjohjen e thellë për mbështetjen e madhe që Britania e Madhe i ka dhënë Kosovës në të gjitha proceset shtetformuese dhe zhvillimore”, thuhet në deklaratë.
Ambasadori Hargreaves, i njohur për afërsinë e tij me Kosovën, është përshkruar nga kryetari Shehu si një mik i madh i Junikut dhe bukurive natyrore të vendit, si dhe si një diplomat me pasion për gjuhën shqipe.
“Thank you very much Ambassador Hargreaves!”, ka përfunduar Shehu duke theksuar mirënjohjen për këtë vizitë dhe për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm mes Junikut dhe përfaqësuesve diplomatikë britanikë. /Kosova.info/
