Rama në Vjenë: Prishtina, model për vizion, transparencë dhe qëndrueshmëri në Evropë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka prezantuar sot në Vjenë arritjet dhe vizionin e kryeqytetit të Kosovës duke e cilësuar atë si një model të ri për zhvillimin urban në rajon dhe Evropë.
“Prishtina po del fuqishëm nga hija e një qyteti të pasluftës dhe po afirmohet si një shembull frymëzues për rajonin,” deklaroi Rama duke theksuar tri shtylla kryesore të zhvillimit: hapësirat e gjelbra dhe rekreative, transformimi digjital dhe konceptet Smart City, si dhe partneritetet ndërkombëtare.
Ai tha se kryeqyteti po ngjitet në skenën evropiane jo si spektator, por si lider me zë të fuqishëm duke vendosur standarde të reja në transparencë, vizion dhe qëndrueshmëri.
“Ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi ambicioz dhe të gjatë drejt një kryeqyteti modern, inovativ dhe gjithëpërfshirës,” u shpreh Rama.
Prania e Prishtinës në forume ndërkombëtare si ky në Vjenë po rrit profilin ndërkombëtar të qytetit dhe po e forcon atë si një partner të besueshëm në Evropë. /Kosova.info/
