Krasniqi kujton protestën e 1 qershorit 1998: Fëmijët brohorisnin “Krejt Kosova UÇK” – sot na ngulfat indiferenca
Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, profesori dhe publicisti Milazim Krasniqi ka ndarë kujtimet e tij nga 1 qershori i vitit 1998, një ditë që ai e cilëson si kulmore në angazhimin qytetar për liri, ku edhe fëmijët u bënë pjesë aktive e lëvizjes për pavarësinë e Kosovës.
“Më 1 qershor 1998 patëm organizuar një protestë me fëmijë dhe prindër në sheshin e Prishtinës. Ishim Këshilli Republikan i Protestave, përfaqësues nga parti e organizata të ndryshme. Protesta mblodhi mbi 100.000 pjesëmarrës,” shkruan Krasniqi.
Ai rrëfen se momenti më emocional i asaj dite ishin lotët e ngashërimit të prindërve dhe brohoritjet e fuqishme të fëmijëve: “Krejt Kosova UÇK.”
Pavarësisht rrethimit të hekurt policor, Krasniqi thotë se protestuesit besonin në liri – një besim që ai e ruan edhe sot, ndonëse me shqetësimin për rritjen e indiferencës shoqërore.
“Unë vazhdoj të besoj te liria, por me filozofinë e aktivizmit, jo të indiferentizmit që sot na ngulfat si shoqëri,” thekson ai në mesazhin e tij.
Në fund, ai uron të gjithë fëmijët për 1 qershorin duke u bërë thirrje institucioneve dhe shoqërisë që të punojnë për një botë më të mirë për ta: “Fëmijët e meritojnë një shoqëri dhe një botë shumë më të mirë.” /Kosova.info/
