Sekuestrohen armë dhe arrestohen pesë persona pas të shtënave në Rogovë
Pas një reagimi të shpejtë dhe profesional, Policia e Kosovës, thotë se ka sekuestruar disa armë zjarri dhe ka arrestuar pesë persona të dyshuar, pas raportimeve për të shtëna në fshatin Rogovë të Komunës së Gjakovës.
“Menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitet relevante të Stacionit Policor në Gjakovë, përfshirë patrullat dhe Sektorin e Hetimeve, kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit. Gjatë kontrollit në lokacionin e dyshuar, policia ka sekuestruar këto prova materiale: Dy armë automatike, një pushkë gjuetie, një pistoletë, 463 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe disa gëzhoja”, thuhet në njoftimin e PK-së .
Pesë persona të dyshuar, meshkuj të moshës madhore, janë arrestuar dhe intervistuar në prani të avokatëve të tyre.
Gjithashtu bëhet e ditur se me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh, ndërsa ndaj tyre është iniciuar procedurë penale në përputhje me legjislacionin në fuqi.
