Quni përkujton heronjtë Xhemajl Fetahaj e Milazim Shala: Gurthemeli i lirisë sonë
Deputeti dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, ka përkujtuar dy heronjtë e kombit, Xhemajl Fetahaj dhe Milazim Shala, në 26-vjetorin e rënies së tyre. Në një mesazh të ndjerë, Quni thekson kontributin dhe heroizmin e tyre të jashtëzakonshëm në luftën për liri dhe pavarësi të Kosovës.
“Heroizmi i tyre mbetet i pashembullt. Ata ishin shtytje e secilit prej nesh të mos kursehet asgjë, as jeta, për tokën tonë të shenjtë,” shkruan Quni duke vlerësuar veprën e dy dëshmorëve si një ndër gurthemelët e lirisë që sot gëzon Republika e Kosovës.
Ai shton se emrat e Xhemajlit dhe Milazimit janë të gdhendur përjetë në kujtesën kombëtare dhe në historinë e shtetit të Kosovës. Quni u bën thirrje të gjithëve që të mos harrohen kurrë këto dy figura të ndritura të kombit shqiptar.
“Lavdi jetës dhe veprës së heronjve Xhemajl Fetahaj dhe Milazim Shala! Lavdi të rënëve për liri!”, përfundon ai mesazhin e tij. /Kosova.info/
